Kryeminisitri liberal i Kanadasë Mark Carney është akuzuar se i ka marrë idetë e njerëzve të tjerë si të tijat në fushatën zgjedhore federale.
National Post mori një kopje të tezës së Carney në 1995 për doktoraturën e tij në ekonomi nga Universiteti i Oksfordit të titulluar “Avantazhi Dinamik i Konkurrencës”. Ajo tregon 10 raste të plagjiaturës së dukshme, sipas gjykimit të tre akademikëve universitarë që shqyrtuan materialin.
Në disa seksione të tezës së tij, Carney përdori citate të plota, parafraza ose citate pak të modifikuara nga katër vepra të mëparshme pa njohjen ose atribuimin e duhur të autorëve.
“Ai thjesht po përsërit drejtpërdrejt pa citime. Kjo është ajo që ne e quajmë plagjiaturë,” tha Geoffrey Sigalet, një profesor asistent dhe anëtar i komitetit këshillues të presidentit të UBC Okanagan për disiplinën studentore, i cili trajton rastet e plagjiaturës për universitetin.
National Post ofroi 10 shembujt për ekipin e fushatës së Carney. Ai u betua si kryeministër më 14 mars dhe aktualisht kandidon në zgjedhjet që do mbahen më 28 prill.
Fushata e Carney në fillim dha një deklaratë nga mbikëqyrësi i doktoraturës në Universitetin e Oksfordit.
“Unë besoj se ju po e karakterizoni gabim këtë punë. Si akademike prej afro 40 vjetësh, nuk shoh asnjë provë të plagjiaturës në tezën që citoni dhe as ndonjë praktikë të pazakontë akademike,” tha ekonomistja amerikane Margaret Meyer, Anëtare Zyrtare e Ekonomisë në Kolegjin Nuffield, në deklaratën e dhënë.
“Teza e Markut u vlerësua dhe u miratua nga një komitet fakulteti që e pa punën e tij për atë që ishte: një analizë mbresëlënëse dhe e hulumtuar tërësisht që e dallonte atë nga kolegët e tij,” shtoi Meyer.
“Kur ke diçka të hequr fjalë për fjalë nga një burim, aty pa thonjëza apo citim…kjo përbën plagjiaturë
Universiteti i Oksfordit e përkufizon plagjiaturën si “(p)paraqitja e punës ose ideve nga një burim tjetër si tuajat…duke e përfshirë në punën tuaj pa njohje të plotë”.
Një profesor i cili është gjithashtu i diplomuar në Universitetin e Oksfordit, duke folur në kushte anonime nga frika se mos paditej nga Carney, ra dakord që pasazhet problematike në tezën e kreut do binin brenda përkufizimit të plagjiaturës.
“Udhëzimet e Oksfordit nuk janë atipike nga universitetet e tjera,” tha ai.
“Kur diçka merret fjalë për fjalë nga një burim, aty pa thonjëza apo citim… kjo përbën plagjiaturë”, shtoi profesori.
Administratorëve të Universitetit të Oksfordit iu dhanë gjithashtu 10 shembuj të plagjiaturës së dukshme, por nuk iu përgjigjën një kërkese për koment brenda afatit.
Të enjten në mbrëmje, disa orë pasi dërgoi deklaratën e Meyer, një zëdhënëse e fushatës Liberale, Isabella Orozco-Madison, i quajti akuzat për plagjiaturë një “keqkarakterim të papërgjegjshëm” të punës së Carney.
Ndërsa Carney i referohet gjerësisht në tezën e tij librit të Michael E. Porter të vitit 1990 “Përparësia konkurruese e Kombeve”, ai përsërit pjesë të punës së Porter dhe paraqet disa fjali – ndonjëherë me ndryshime të vogla në formulim – si të tijat.
Në një paragraf në faqen 206 të tezës së Carney, ngjashmëritë janë veçanërisht të theksuara.
Carney shkroi: “Së pari, ndërhyrja e qeverisë mund të pengojë konkurrencën ndërkombëtare dhe të mbështesë artificialisht fitimet e brendshme.”
Më vonë, ai shton: “Së dyti, në një industri ose një ekonomi ku shumë firma po ndjekin strategjitë e fitimit, firmat mund të ruajnë përfitimin edhe pse po humbasin konkurrencën.”
Këto janë praktikisht fjalitë e sakta që mund të gjenden në librin e Porter në faqen 797 – përveçse Carney shtoi përcaktuesin shtesë “një ” dhe ndajfoljen “madje”. Ai nuk përdori thonjëza ose nuk shtoi një fusnotë për t’iu referuar punës së auorit Porter askund në të gjithë paragrafin.
Meyer, mbikëqyrësja e tij e doktoraturës në Oksford, tha se “është tipike që gjuha e mbivendosur shfaqet” kur burimet “referohen shpesh në një tekst akademik”.
“Për shembull, gjatë rrjedhës së kësaj teze prej më shumë se 300 faqesh, libri i Michael Porter… citohet dhjetëra herë. Brenda tezës së tij, Mark e pranoi, citoi, shqyrtoi dhe e zgjeroi këtë pjesë,” tha ajo.
Në një intervistë të fundit me një program radioje CBC në Toronto, Meyer vuri në dukje se Carney e përfundoi tezën e tij “çuditërisht shpejt”, në më pak se dy vjet. Ajo gjithashtu vuri në dukje se teza e doktoraturës, të cilën ajo tha se e mban në zyrën e saj, është “dy herë më e gjatë” se ajo e saj.
“Fakti që ai mund të merrej me shumë më tepër materiale sesa shumica e studentëve zakonisht bëjnë në një kohë më të shkurtër dhe të prodhonte një tezë më të gjatë e veçoi atë”, tha ajo për CBC.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e National Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani