Kandidatja në listën e hapur për Partinë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi sot një ecje në zonën e 9-katëshve në Tiranë, ku u takua me qindra qytetarë e banorë të zonës për të dëgjuar shqetësimet dhe problematikat e tyre të përditshme.
Në biseda të hapura dhe të drejtpërdrejta, deputetja Tabaku vuri në dukje se shqetësimet më të mëdha të qytetarëve lidhen me pensionet, pagat dhe çmimet e larta të jetesës. Ajo theksoi se pensionet mbeten një plagë e madhe për shtresat në nevojë, veçanërisht për të moshuarit, të cilët ndihen të braktisur nga qeveria aktuale.
“Në programin tonë, Partia Demokratike ka parashikuar jo vetëm rritjen e pensionit mesatar, por edhe garantimin e një minimumi jetik për çdo pensionist. Kjo është një çështje dinjiteti, jo vetëm ekonomie,” u shpreh Tabaku.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, u ngritën gjithashtu shqetësime të kahershme që lidhen me pronat, zbatimin e ligjit 7501 dhe procesin e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë – çështje për të cilat PD ka propozuar zgjidhje konkrete në planin e saj qeverisës.
Tabaku theksoi se paketa e emergjencës sociale dhe ekonomike e propozuar nga PD është përgjigjja e duhur për krizën që po kalon vendi dhe një rrugëdalje për mijëra familje që sot ndodhen në vështirësi.
E vendosur për t’iu drejtuar çdo qytetari, ajo deklaroi se do të takohet me këdo dhe do t’i japë dorën kujtdo për t’i kërkuar votën, sepse vota për të është një votë për zërin e tyre në Kuvend. “Ky ka qenë misioni im në këto 12 vite: të çoj zërin tuaj në Parlament dhe të mbroj interesat tuaja me ndershmëri dhe përkushtim,” u shpreh ajo.
Në fund të takimeve, Tabaku u bëri thirrje qytetarëve që më 2025 të votojnë për Partinë Demokratike dhe të vendosin emrin e saj në listën e hapur, për të garantuar një përfaqësim të ndershëm, të zëshëm dhe me integritet.