Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Mianmarin ka arritur në 1002, ndërsa 2376 persona janë plagosur, sipas qeverisë ushtarake të vendit. Po ashtu, 30 persona rezultojnë të zhdukur.
Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë goditi të premten rreth orës 12:50 pasdite me orën lokale, me epiqendër afër qytetit të dytë më të madh, Mandalay. Lëkundjet e fuqishme shkaktuan shembjen e ndërtesave në pesë qytete dhe dëmtuan rëndë infrastrukturën, përfshirë një urë hekurudhore dhe një urë rrugore në autostradën Yangon-Mandalay.
Trupat e shpëtimit janë angazhuar menjëherë në operacionet për kërkim dhe ndihmë ndaj të mbijetuarve. Ndërkohë, Kina, Rusia dhe SHBA-ja kanë ofruar ndihmë humanitare, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping ka shprehur ngushëllime për viktimat.
Tërmeti është ndjerë edhe në Tajlandën fqinje, ku raportohet për tetë të vdekur, tetë të plagosur dhe 79 persona të zhdukur./CNN