Basha në Londër: Premtimi për pasaportën europiane, një tjetër mashtrim si Aeroporti i Kukësit


Lulzim Basha, kryetari i Koalicionit Euroatlantik, u takua me shqiptarët në Londër, ku kritikoi premtimet e pambajtura të kryeministrit Edi Rama, përfshirë atë për pasaportën europiane. Sipas tij, ky premtim është po aq i pabazë sa ai për Aeroportin e Kukësit në 2021, i cili sot nuk funksionon siç ishte premtuar.

Basha theksoi se integrimi europian i Shqipërisë dhe korrupsioni i qeverisë Rama janë të papajtueshme, pasi BE nuk pranon vende të drejtuara nga liderë të korruptuar.

“A e mbani mend kur në 2021 Rama u tha shqiptarëve në Londër se do të mund të udhëtonin drejt Kukësit për dy orë? Ku është sot ai premtim? Aeroporti i Kukësit nuk po përdoret për asgjë, sepse Eurocontrol nuk i dha certifikimin e nevojshëm. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me premtimin për pasaportën europiane. Nuk ka integrim në BE për një qeveri të zhytur në korrupsion,” tha ai.

Duke sjellë shembullin e Kroacisë, Basha argumentoi se asnjë vend nuk ka përparuar në rrugën e integrimit pa ndëshkuar korrupsionin qeveritar.

“Bashkimi Europian nuk mund të pranojë vende ku pushtetarët janë aty për interesat e tyre personale dhe jo për qytetarët,” përfundoi ai.