Basha: “Trekëndëshi i Bermudës” bëri gjithçka për ta penguar mundësinë për debat nga Koalicioni Euroatlantik


Në një takim me shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe, Lulzim Basha ka folur për programin e shpallur më 1 qershor të vitit të kaluar. Ai tha se periudha e hershme kur u prezantua programi i Koalicionit Euroatlantik dha mundësinë për një debat të gjerë nga grupet e interesit, por që “Trekëndëshi i Bermudës” bëri gjithçka për ta penguar këtë diskutim.

“Ndërsa tani, ata marrin pjesë të programit dhe i ngjisin në mënyrë të pakuptueshme në ato që quajnë programet e tyre, por që në fakt nuk kanë program. Programi i tyre i vetëm është 7×7=313,”  tha Basha.

Ai theksoi se dallimi kryesor midis Koalicionit Euroatlantik dhe qeverisë së Edi Ramës është lufta kundër korrupsionit, duke shprehur angazhimin për të krijuar një njësit të rikuperimit të pasurive të vjedhura. Kjo njësit do të ndihmojë në gjurmimin e politikanëve të pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe rikthimin e pasurive të vjedhura tek qytetarët shqiptarë.

Basha shtoi se pasuritë e vjedhura të shqiptarëve nuk janë vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, përfshirë Londrën. Ai theksoi se politikanët shqiptarë me paga të ulëta nuk mund të kishin pasuri të tilla, dhe se njësia e rikuperimit do të punonte për të identifikuar dhe kthyer pasuritë që ata i kanë grabitur shqiptarëve.

“Synimi ynë është që pasuritë e vjedhura, taksat e vjedhura, të kthehen tek qytetarët, sepse ata janë pronarët e vërtetë të këtyre pasurive,” tha Basha.

Ai theksoi gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është një nga dallimet më të rëndësishme mes Koalicionit Euroatlantik dhe qeverisë së Edi Ramës, e cila është e përfshirë në korrupsion dhe fshehje pasurie. Basha bëri thirrje që të mos bëheshin gabime në zgjedhje, duke paralajmëruar se disa që përpiqen të riciklojnë korrupsionin mund të shfaqen si alternativa, por në të vërtetë janë pjesë e të njëjtit sistem të korruptuar.