Para pak muajve kryeministri Edi Rama nisi një tur me pensionistët në vend, ku kishte për qëllim të sqaronte këta të fundit se rritja e pensioneve është një proces më kompleks se sa rritja e pagave, pasi varietet e pensioneve mbështeten në kontributet që bëjnë punonjësit sot.
Kreu i qeverisë shprehej aso kohe se “për të paguar pensionet duhen 1.8 miliardë euro, ndërsa fondi që sigurojmë nga skema është 1.3 miliardë”
“Pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet. Pensionet janë çështje e përbashkët e qeverisë, çështje e atyre që në Republikën e Shqipërisë fitojnë para. Për të rritur pensionet në vazhdim, duhet të rrisim kontributet. Por, duhet ta them se ka nga ata që fitojnë për vete dhe vjedhin pensionistët, duke mos paguar sigurimet shoqërore”, shprehej Rama.
Nga ana tjetër, ky tur i Ramës pati shumë reagime të forta nga opozita dhe nga Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i cili inicioi shumë protesta të pensionistëve përpara kryeministrisë duke i përkrahur ata në kërkesat e tyre.
Qori në protesta e mbajtura shprehej se qeveria e ka justifikim mungesën e parave për rritjen e pensioneve.
“Qeveria e Edi Ramës justifikohet se nuk i rrit pensionet se nuk ka para. E njëjta qeveri thotë se PBB është dyfishuar. E njëjta qeveri justifikohet se nuk ka para, e njëjta thotë se 4 miliardë euro ka fituar nga turizmi. 1 miliardë lekë mjaftojnë për rritjen e pensionit dhe që pensioni minimal të ishte 220 euro. Në Italinë e zhvilluar, rroga e deputetit është sa 10-fishi i pensionit minimal.”- shprehej Qori krah pensionistëve.
Por pa u zbehur mirë sqarimet e Ramës në turin e tij para pensionistëve se përse nuk mund të rriteshin pensionet, ai papritur dje në programin e tij elektoral për Shqipërinë 2030, premtoi se brenda 2030-ës, pensionet minimale do të jenë 200 euro ndërsa ai mesatar 400 euro.
“Ambicia jonë është që në vitin 2030 pensioni mesatar të jetë 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota. Ndërkohë, pensioni minimal për të gjithë të tjerët ne do të synojmë që të shkojë në 200 euro”, tha Rama.
Por duket se ky premtim i ri i Ramës ka ngjallur sërish reagim në publik.
Gazetarja Ambrozia Meta e ka quajtur këtë gjë, premtimin e një gënjeshtari patologjik, duke e paralelizuar deklaratën e djeshme të tij me turin e atëhershëm ndaj kategorisë së pensionistëve, e cila bie në kundërshtim të plotë me ato që kemi dëlgjuar prej gojës së kryeministrit.
“Për të kuptuar çfarë gënjeshtari patologjik i rëndomtë është Kryeministri, mjafton të kujtojmë që disa muaj më parë, nisi një tur me pensionistët për t’ju shpjeguar pse nuk i rrit pensionet. Rama deklaronte se një rritje e pensioneve do e çonte vendin në një gropë më e madhe se ajo e piramidave, ndërsa dje premtoi rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe pension 400 euro, për ata që kanë paguar sigurime të plota.”- shprehet gazetarja Meta.