Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shqiptarëve në Athinë që më 11 maj t’i bashkohen përmes votës një momenti historik për të garantuar të ardhmen evropiane të vendit.
Sipas tij, pasaporta shqiptare e BE-së do t’i japë fund pritjes për dokumente greke, duke i trajtuar shqiptarët si të barabartë mes të barabartëve në të gjithë Evropën.
“Ju jeni shqiponja dhe do të mbeteni shqiponja. Me pasaportën evropiane, do të uleni në çdo tryezë të Evropës si të barabartë. Ashtu siç përkthyesit qëndrojnë në ballkon kur liderët evropianë flasin në gjuhët e tyre, edhe shqipja do të dëgjohet kur përfaqësuesi i Shqipërisë të marrë fjalën,” u shpreh Rama.
“Më 11 maj, të gjithë duhet të lëmë mënjanë ngjyrat partiake dhe të bashkohemi nën flamurin kuqezi,” theksoi ai, duke e krahasuar këtë moment me mbështetjen historike për PD-në në vitin 1991, kur qytetarët votuan për një ndryshim të madh.
Rama kërkoi që shqiptarët të mos shpërndajnë votën tek forcat e tjera politike, duke theksuar rëndësinë e një mesazhi të unifikuar për BE-në:
“Më 16 maj, në Shqipëri do të vijnë liderët e vendeve jashtë BE-së, si Britania, Turqia, Ukraina dhe Azerbajxhani, si dhe Sekretari i NATO-s. Cili mesazh do të ishte më i fuqishëm? Një mesazh i qartë nga shqiptarët se duam të hyjmë në BE, apo një zhurmë e paqartë?”
Në mënyrë ironike, ai shtoi: “Imagjinoni sikur në vend të një mesazhi të qartë, Evropa dhe NATO të duhet të bisedojnë me ‘bufin e kënetës’.”
Duke parashikuar reagimin e opozitës pas zgjedhjeve, ai shtoi me ironi: “Më 11 maj, bufi do të thotë ‘fitore’. Më 12 maj do të fillojnë erërat nga kënetat, dhe më 13 do të shpallin ‘vjedhjen më të madhe të votave në histori’.”
Sa i përket Greqisë, ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tashmë të stabilizuara, duke i kërkuar Athinës të mos pengojë negociatat e Shqipërisë me BE-në.
“Kemi bërë përparim në çështjet e minoritetit dhe disa vendime të rëndësishme janë marrë,” tha ai.
Në fund, Rama konfirmoi se Shqipëria do të kërkojë zyrtarisht heqjen e ligjit të Luftës me Greqinë, ndërsa dha lajmin për krijimin e një aplikacioni për të mësuar gjuhën shqipe për emigrantët shqiptarë.