Kompani amerikane mbështesin Trumpin në luftën tregtare 


 

Në SHBA, disa kompani po mbështesin politikën e tarifave të presidentit Donald Trump, duke e parë atë si një mënyrë për të barazuar fushën e lojës në tregtinë ndërkombëtare. 

Një nga këto kompani është JM Smucker, një prodhues i njohur amerikan i reçelit, i cili ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë të vendosë tarifa reciproke ndaj reçelit evropian.

Ndërsa Europa eksporton mbi 200 milionë dollarë reçel në SHBA çdo vit, Amerika eksporton vetëm 300 mijë dollarë reçel në BE, një pabarazi që Smucker e lidh me tarifën 24% të BE-së ndaj produkteve amerikane. 

“Vendosja e tarifave reciproke nga SHBA për reçelin evropian do të ndihmonte në krijimin e një tregu të barabartë,” tha kompania në një letër drejtuar administratës Trump. Aktualisht, tarifa më e lartë e SHBA-së për reçelin e importuar është vetëm 4.5%. 

Letra e Smucker është vetëm një nga qindra kërkesa të dorëzuara në Shtëpinë e Bardhë për të ndikuar në vendimet mbi tarifat e reja, që pritet të shpallen më 2 prill, përcjell BBC.

Fermerët amerikanë kanë ngritur shqetësime mbi tarifat e larta që mollët e tyre përballen në vende si India (50%), Tajlanda (40%) dhe Brazili (10%).

Po ashtu, ata kanë kritikuar rregullat sanitare në vende si Australia, të cilat, sipas tyre, pengojnë eksportet amerikane. 

Ndërkohë, kompanitë e transmetimit dixhital kanë vënë në dukje taksat në Kanada dhe Turqi që, sipas tyre, diskriminojnë firmat amerikane.

Industria e naftës dhe gazit ka kritikuar rregullat në Meksikë që kërkojnë bashkëpunim me kompaninë shtetërore të naftës. 

Vetë administrata Trump ka theksuar tarifa të pabarabarta si 18% për etanolin në Brazil (krahasuar me 2.5% në SHBA), 10% për makinat në Europë (kundrejt 2.5% në SHBA) dhe 100% për motoçikletat në Indi, para se të ulej disa vite më parë. 

Trump e ka quajtur vendosjen e tarifave të reja si një “Ditë Çlirimi”, duke pretenduar se ato do të ndihmojnë në eliminimin e praktikave të padrejta tregtare.

 Megjithatë, analistët paralajmërojnë se tarifat mund të çojnë në hakmarrje nga partnerët tregtarë dhe në një luftë tregtare më të gjerë. 

Ndërsa disa biznese mbështesin masat e Trumpit, ato gjithashtu shprehin shqetësime për ndikimin e tarifave në zinxhirët e furnizimit. 

Për shembull, NorthStar BlueScope Steel, një kompani çeliku që punëson 700 punëtorë në SHBA, ka kërkuar nga Trump të zgjerojë tarifat mbi çelikun dhe aluminin, por në të njëjtën kohë ka kërkuar përjashtim për lëndët e para që i nevojiten, siç është skrapi i metalit. 

Ndërkohë, Shoqata e Markave të Konsumit, e cila përfaqëson kompani të mëdha ushqimore, ka paralajmëruar kundër tarifave “të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse” që mund të rrisin kostot e përbërësve si kakaoja, e cila nuk prodhohet në SHBA. 

 

Wilbur Ross, ish-sekretari i Tregtisë gjatë presidencës së parë të Trumpit, tha se shqetësimet e bizneseve do të zvogëlohen kur planet e Trumpit të bëhen më të qarta, duke e përshkruar 2 prillin si një “hap të madh përpara”. 

“Trump i sheh tarifat ose si një burim të ardhurash të reja, ose si një mënyrë për të reduktuar importet dhe për të inkurajuar më shumë prodhim vendas,” tha Ross. 

Megjithatë, përfaqësues të biznesit dhe ekonomistë kanë paralajmëruar se kjo qasje mund të çojë në rritje çmimesh për konsumatorët dhe në pasiguri ekonomike. 

Pavarësisht shqetësimeve të tregut, republikanët vazhdojnë të mbështesin politikën tregtare të Trumpit. Ligjvënësi republikan Jodey Arrington tha se, edhe pse mund të ketë “dhimbje në fillim”, vendosja e rregullave të barabarta për tregtinë do të krijojë mundësi për prodhuesit amerikanë. 

“Thjesht po përpiqemi të riformatojmë këto marrëdhënie në mënyrë që të luajmë sipas të njëjtave rregulla,” tha ai. “Dhe kështu, të gjithë fitojnë.”