Përfshihet nga flakët lokali në Fier


Një lokal sezonal në bregdetin e Darëzezës, në Fier, ka shpërthyer në flakë rreth orës 17:30 të pasdites së sotme.

Zjarri u vërejt fillimisht nga banorët e zonës, të cilët menjëherë njoftuan shërbimet zjarrfikëse. Megjithatë, për shkak të ndërtimit prej druri të lokalit, flakët u përhapën shumë shpejt dhe dogjën tërësisht lokalin brenda disa minutash, pavarësisht ndërhyrjes së banorëve me mjete rrethanore për të parandaluar përhapjen e tij.

Lokali, në pronësi të shtetasit A. B, ka funksionuar për pesë vjet rresht gjatë muajve të verës. Dëmi i shkaktuar është përllogaritur në 30 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që janë shkatërruar të gjitha pajisjet, përfshirë 120 shezlongë dhe 60 çadra.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental. Banorët që ndodheshin pranë lokalit kanë raportuar se në ambientet e tij kishte pasur vizitorë, të cilët kishin konsumuar birra dhe cigare. Lokali, i mbyllur që pas përfundimit të sezonit veror, kishte pasur energjinë elektrike të ndërprerë.

Grupi hetimor pritet të kryejë verifikimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht shkaqet e këtij incidenti.