Raketa e parë orbitale e nisur nga Evropa rrëzohet pas ngritjes


Një raketë testuese, e cila synonte të hapte rrugën për lëshimin e satelitëve nga Evropa, u rrëzua dhe shpërtheu në tokë më pak se një minutë pas nisjes nga një kozmodrom norvegjez të dielën, sipas kompanisë gjermane Isar Aerospace, e cila e kishte cilësuar këtë si një test fillestar.

Raketa pa ekuipazh Spectrum u promovua si përpjekja e parë për një fluturim orbital nga territori evropian. Disa vende, përfshirë Suedinë dhe Britaninë e Madhe, kanë shprehur ambicien e tyre për të qenë pjesë e tregut në rritje të misioneve hapësinore komerciale.

Isar Aerospace, e cila kishte paralajmëruar se lëshimi fillestar mund të dështonte, deklaroi se testi prodhoi një sasi të madhe të dhënash nga të cilat ekipi i saj do të mësojë, përcjell The Guardian.

Raketa Spectrum është projektuar për të transportuar satelitë të vegjël dhe të mesëm me peshë deri në një ton metrik, megjithatë, në këtë mision të parë nga kozmodromi Andøya në Norvegjinë Arktike, ajo nuk mbante asnjë ngarkesë.

Misioni synonte të mblidhte të dhëna mbi mjetin lëshues të zhvilluar nga vetë Isar Aerospace, në një test të parë të integruar të të gjitha sistemeve të saj, njoftoi kompania bavareze javën e kaluar.