Rama nga Athina: Shqipëria më afër Evropës, diaspora të besojë tek e ardhmja jonë e përbashkët


Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Athinë, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, duke ndarë mesazhin e tij për përparimin e Shqipërisë dhe rolin e diasporës në zhvillimin e vendit.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria sot është më afër Evropës se kurrë më parë, duke kujtuar përparimin e bërë gjatë viteve të fundit.

“Shqipëria sot është më e fortë dhe më e gatshme se kurrë për të qenë pjesë e Evropës. Ky është një moment vendimtar për të ardhmen tonë të përbashkët.”– u shpreh ai.

Ai ndau një histori të një taksisti shqiptar në Athinë, i cili i kishte thënë:

“Kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë se këta këtu, sot jemi një shkallë larg tyre. Jemi gati për ta ngjitur dhe për t’u bërë njësh me të gjithë evropianët e tjerë, duke u ulur në sofrën e përbashkët të familjes së bashkuar evropiane.”

Rama theksoi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është më e sigurt dhe më e qartë se më parë, ndërsa vendi ka njohur rritje ekonomike dhe përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë dhe standardet e jetesës.

Ai bëri një krahasim mes gjendjes së vendit kur mori drejtimin e qeverisë dhe situatës së sotme, duke vënë në dukje se borxhi publik ishte rreth 80% dhe shumë shërbime publike kishin ndalur për shkak të detyrimeve të papaguara nga qeveria e mëparshme.

Rama shtoi gjithashtu se projektet e mëdha infrastrukturore ishin lënë në mes, me rrugë të hapura, por pa financime për t’u përfunduar dhe se paga mesatare në Shqipëri në atë kohë ishte vetëm 370 euro, ndërsa sot, me përfundimin e vitit 2024, paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 1000 euro.

Këto ndryshime, sipas tij, tregojnë se Shqipëria sot është në një pozitë shumë më të fortë ekonomikisht dhe ka hapësira të mëdha për zhvillim.

Në këtë kontekst, Rama bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për diasporën, duke i inkurajuar ata që duan të rikthehen në Shqipëri dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

“Për ata që duan të kthehen, por ende ngurrojnë sepse janë të pasigurt, unë ju them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të ketë më shumë sesa do të ketë duke qëndruar këtu.”

Ai pranoi se sfidat ekzistojnë, por theksoi se vendi ka bërë hapin e madh drejt vetëvendosjes ekonomike dhe politike, duke deklaruar:

“Ndryshe nga koha kur morëm detyrën, sot Shqipëria është një vend që e ka në dorë fatin e vet. Fati ynë është në dorën tonë.”

Rama nuk i kurseu kritikat ndaj atyre që, sipas tij, përhapin një imazh të rremë dhe pesimist për Shqipërinë.

“Ju me siguri dëgjoni ata që na përqeshin, që bazohen te pasqyrat e moçaleve, që fatkeqësisht edhe ju jeni të detyruar t’i shihni kur hyni në ekranet e telefonave tuaj për të marrë lajme nga Shqipëria.”

Ai i ftoi emigrantët që të mos ndikohen nga perceptimet e vjetra, por të shohin me sytë e tyre ndryshimet që kanë ndodhur në vend.

Takimi me diasporën në Athinë vjen në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ku Rama dhe Partia Socialiste synojnë një mandat të katërt qeverisës.

Duke iu drejtuar shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ai nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si një vendim historik për të ardhmen e Shqipërisë.

Edi Rama: Një taksist më tha që ‘kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë se këta këtu, sot jemi një shkallë larg tyre. Jemi gati për ta ngjitur dhe për t’u bërë njësh me të gjithë evropianët e tjerë, duke u ulur në sofrën e përbashkët të familjes së bashkuar evropiane. Më vjen mirë që sot që kemi ardhur këtu jemi në gjendje të ndajmë jo vetëm atë që kemi bërë për ta ngritur Shqipërinë aty ku nuk kemi qenë asnjëherë, por për ta ngritur në një pikë ku ëndrrat dhe shpresat nuk duken më aq të paarritshme sa dukeshin dikur. Ndryshe nga koha kur morëm detyrën, sot Shqipëria është një vend që e ka në dorë fatin e vet. Sot, fati ynë është në dorën tonë. Kur e morëm ne qeverinë, kishte një borxh rreth 80%, shërbimet kishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta që qeveria nuk u paguante më. Të gjitha ato planet e Shqipërisë së rrugëve kishin mbetur rrugëve, u ishin prerë shiritat, por nuk u ishin dhënë paratë. Kur morëm detyrën, paga mesatare ishte 370 euro, ndërkohë që sot, me vitin 2024 të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1000 euro, e shohim me shumë optimizëm mandatin e katërt. Për ata që duan të kthehen, por ende ngurrojnë se janë të pasigurt, unë ju them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të ketë më shumë se sa do të ketë duke qëndruar këtu. Ju me siguri dëgjoni ata që na përqeshin, që bazohen te pasqyrat e moçaleve, që fatkeqësisht edhe ju jeni të detyruar t’i shihni kur hyni në ekranet e telefonave tuaj për të marrë lajme nga Shqipëria.