Në një takim me shqiptarët në Athinë, kryeministri Edi Rama theksoi sërish se ishte qeveria e tij ajo që i dorëzoi “shpatën” e drejtësisë SPAK-ut, duke deklaruar se kjo reformë nuk ishte e dëshiruar nga opozita.
“Ata dhe ‘dashuria ime’, Luli, nuk donin reformën në drejtësi dhe as SPAK-un. Madje, kërcënuan se nuk do të hynin në zgjedhje,” tha Rama, duke nënvizuar se shpresa e vetme e opozitës sot është që SPAK të godasë Partinë Socialiste dhe më pas t’u vijë radha atyre.
Ai kritikoi kundërshtarët politikë, duke i quajtur “vegla të reja vetëm në moshë”, dhe u shpreh se misioni i qeverisë së tij është ta bëjë Shqipërinë pjesë të familjes europiane.
“Barazia para ligjit është kusht i patjetërsueshëm për këtë rrugëtim,” shtoi ai.
“Mund të mos jemi shumë të mençur, por nuk jemi aq naivë sa të mos e kuptonim që duke i dorëzuar ‘shpatën’ drejtësisë, ajo do të godiste edhe disa nga ne. E dinim dhe nuk jemi penduar. Përkundrazi, jemi krenarë për këtë,”përfundoi Rama.