Stuhia e breshërit dëmton drufrutorë e vreshta në fshatrat e Librazhdit


Pjesë të mëdha të fshatrave të Njësisë Administrative Polis në bashkinë e Librazhdit u goditën të dielën pasdite nga moti i keq, i shoqëruar me reshje intensive dhe stuhi, e cila më pas u pasua me breshër për rreth 30 minuta në fshatin Gurëshpatë dhe rrethinat e tij.

Si pasojë e rënies së breshrit, u shkatërruan pemëtaria dhe vreshtat e kësaj zone, të cilat ishin në fazën e lulëzimit të plotë. Dëmet e shkaktuara janë të mëdha, duke përfshirë prodhimin e pemëve frutore dhe vreshtave që pritej të ishte realizuar këtë vit. Ky fenomen natyror ka shkatërruar plotësisht investimet e fermerëve të zonës, veçanërisht ata që kishin investuar shumë në plantacione me pemë frutore.

Stuhia e breshrit ka prekur disa qindra familje fermerësh, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha financiare. Shpresa e tyre e vetme mbetet kompensimi i këtij dëmi nga shteti.

Në fillim të kësaj jave, ekipet e emergjencave civile do të kryejnë verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri në fshatin Gurëshpatë dhe në disa lagje të tjera të fshatrave të Polisit të Librazhdit.