Trump: “Nuk më intereson fare” nëse çmimet e makinave rriten pas tarifave të reja 


Presidenti amerikan Donald Trump tha se “nuk i intereson fare” nëse prodhuesit e makinave rrisin çmimet pasi tarifat e tij prej 25% për automjetet e prodhuara jashtë SHBA-së të hyjnë në fuqi. 

Ekspertët kanë paralajmëruar se këto tarifa mund të shkaktojnë mbyllje të përkohshme të prodhimit të makinave në SHBA, të rrisin çmimet dhe të tensionojnë marrëdhëniet me aleatët. 

Duke folur për NBC News të shtunën, Trump tha se nëse çmimet e makinave rriten, kjo do të nxisë konsumatorët të blejnë makina të prodhuara në SHBA. “Ne kemi mjaft”, shtoi ai, përcjell BBC. 

Të mërkurën, Trump shpalli tarifat e reja 25% për automjetet dhe pjesët e makinave të importuara nga jashtë, të cilat hyjnë në fuqi më 2 prill për automjetet dhe më vonë për pjesët e këmbimit. 

I pyetur për mesazhin e tij ndaj drejtuesve të industrisë automobilistike, ai tha: “Urime! Nëse e prodhoni makinën tuaj në Shtetet e Bashkuara, do të fitoni shumë para”. 

Trump tha gjithashtu se nuk ka ndërmend të shtyjë më tej tarifat, përveç rasteve kur vendet e tjera janë të gatshme të ofrojnë “diçka me vlerë të madhe”. 

Komentet e tij kanë shkaktuar reagime të ashpra nga disa ekonomi të mëdha, përfshirë Gjermaninë, Francën, Kanadanë dhe Kinën, të cilat kanë kërcënuar me masa hakmarrëse ndaj tarifave amerikane. 

Ndërkohë, burime nga Downing Street konfirmuan se Britania e Madhe po negocion përjashtimin nga tarifat, duke argumentuar se ka një marrëdhënie tregtare më të ekuilibruar me SHBA-në krahasuar me vendet e tjera.