“100% e sigurt që do e marrim Groenlandën” – Trump


Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se është i sigurt se Uashingtoni do e marrë nën kontroll Groenlandën dhe se ai tashmë ka pasur biseda “absolutisht” të vërteta për aneksimin e territorit autonom danez.

“Ne do e marrim Groenlandën. Po, 100%,” – i tha Trump medias amerikane NBC në një intervistë telefonike të shtunën. Ekziston një “mundësi e mirë që ne mund ta bëjmë atë pa pasur nevojë për forcë ushtarake”, tha ai, duke shtuar se ai nuk do “heqë asgjë nga tavolina”.

Sipas presidentit amerikan, marrja e Groenlandës është një çështje e “paqes ndërkombëtare” dhe “sigurisë dhe forcës ndërkombëtare”.

Një video e shpërndarë nga Trump në fillim të kësaj jave pretendonte se ishulli kërcënohej nga “agresioni rus” dhe “zgjerimi kinez”. Në video thuhej se partneriteti midis Groenlandës dhe SHBA-së “nuk është vetëm histori, por është fat”. Presidenti rus Putin nga ana e tij tha të enjten se “Rusia kurrë nuk ka kërcënuar askënd në Arktik”.

Intervista erdhi vetëm një ditë pasi zëvendëspresidenti i SHBA J.D. Vance vizitoi territorin e Arktikut të pasur me burime. Gjatë qëndrimit të tij, ai akuzoi Danimarkën se kishte punuar dobët në ishull.

“Mendoj se do ishe shumë më mirë të jesh nën ombrellën e sigurisë së Shteteve të Bashkuara sesa të jesh nën ombrellën e Danimarkës”, tha ai ndërsa vizitoi një bazë amerikane në ishull, shkruan RT.

Trump fillimisht propozoi blerjen e territorit autonom danez gjatë mandatit të tij të parë në 2019 dhe ka rindezur diskutimin pas kthimit në detyrë. Që atëherë ai ka premtuar vazhdimisht se do e bëjë ishullin pjesë të SHBA-së, duke argumentuar se ai është i nevojshëm për qëllime sigurie.

Deklaratat e presidentit amerikan kanë shkaktuar një reagim të zemëruar nga Kopenhagen. Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen deklaroi këtë javë se veprime të tilla nuk ishin të përshtatshme për një aleat të ngushtë dhe se vetëm “përshkallëzojnë tensionet”. Ai gjithashtu akuzoi Trumpin se ka shkuar “shumë larg”.