Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot programin e tij për mjedisin, pyjet dhe kullotat, duke e cilësuar situatën aktuale si kritike. Ai akuzoi qeverinë për shkatërrim masiv të pyjeve, ndërprerje të subvencioneve dhe favorizim të mafias së ndërtimit në zona të mbrojtura.
“Pyllëzimi do të jetë një prioritet kryesor, i kombinuar me mbjelljen e drurëve frutorë. Do të rindërtojmë infrastrukturën e mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave, sipas standardeve evropiane,” u shpreh Berisha.
Ai denoncoi trafikimin e druve, duke e cilësuar si një industri fitimprurëse për segmente të pushtetit, dhe përmendi Taulant Ballën si një nga përfituesit kryesorë të kësaj skeme.
“Ne do të investojmë seriozisht për një mjedis të pastër, të mbrojtur dhe të zhvilluar, duke sjellë standardet më të mira për qytetarët shqiptarë,” theksoi ai.
Sipas tij, programi i PD-së synon:
- Rikthimin e standardeve evropiane në mbrojtjen e mjedisit
- Përmirësimin e cilësisë së ajrit, ujërave dhe ekosistemeve natyrore
- Menaxhimin transparent dhe të ndershëm të burimeve natyrore
- Pyllëzim real, i integruar me mbjelljen e drurëve autoktonë dhe frutorë
Berisha u shpreh i vendosur për rikthimin e institucioneve dhe infrastrukturës së mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave, duke i akuzuar qeveritarët aktualë se po bëhen milionerë nga shkatërrimi masiv i pyjeve.
“Rënia në këta sektorë është dramatike, por potencialet për ringritje janë reale. Ne do të investojmë seriozisht për të arritur sa më shpejt standardet evropiane, duke siguruar një mjedis të shëndetshëm për qytetarët shqiptarë,” përfundoi ai.