Eurobondi çon rezervën valutore të vendit pranë kufirit të 7 miliardë eurove


Eurobondi i emetuar nga qeveria shqiptare në muajin shkurt e ka rritur më tej rezervën valutore të vendit, duke e çuar pranë kufirit të 7 miliardë eurove.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës në fund të muajit shkurt arriti në 6.9 miliardë euro, në rritje me 10% që nga fillimi i vitit dhe me 23.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin shkurt, qeveria shqiptare realizoi emetimin e Eurobondit të radhës në Bursën e Londrës. Në përfundim të procesit, u emetuan 650 milionë euro Eurobonde me maturim 10-vjeçar dhe fondet e siguruara prej tyre u transferuan në llogaritë e qeverisë shqiptare pranë Bankës së Shqipërisë. Kjo i ka dhënë një shtysë të mëtejshme rritjes së rezervës valutore.

Në fund të shkurtit, titujt e borxhit përbënin 67% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 25% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Vitin e kaluar, rritja e rezervës valutore u ndikua nga blerjet e mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor.

Sipas informacionit zyrtar të publikuar në fund të marsit, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.

Duke parë vazhdimin e presioneve të forta mbiçmuese për monedhën vendase edhe gjatë 2024, Banka Qendrore vendosi të ndërhyjë në tregun valutor, duke tërhequr një pjesë të ofertës së madhe të euros dhe duke rritur ofertën monetare të lekut. Kjo ndërhyrje u motivua kryesisht në funksion të objektivit të inflacionit.

Blerjet direkte të Bankës së Shqipërisë vijuan deri në ditët e fundit të vitit 2024. Por, pavarësisht këtyre blerjeve kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka vijuar rënien edhe gjatë vitit të kaluar, duke prekur rekorde të reja historike, pranë nivelit të 98 lekëve.

Banka e Shqipërisë ka planifikuar një rritje të mëtejshme të blerjeve të valutës në vitin 2025, të paktën në pjesën që lidhet me rezervën valutore, megjithëse, siç kanë treguar të dhënat e deritanishme të vitit të kaluar, blerjet më të mëdha kanë qenë ato direkte, me objektiv kontrollin e kursit të këmbimit.

Banka e Shqipërisë synon të blejë këtë vit përmes ankandeve 270-350 milionë euro, ose 20 milionë euro më shumë krahasuar me objektivin e vitit 2024, si në intervalin e poshtëm, ashtu edhe në atë të sipërm.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të euroizimit të sektorit financiar në vend. Duke qenë një ekonomi me pozicion tregtar negativ në mallra, mungesa e valutës në momente të veçanta mund të krijojë probleme për aktivitetin ekonomik në vend.

Nga ana tjetër, rezerva mund të jetë gjithashtu e rëndësishme për të garantuar stabilitetin e kursit të këmbimit dhe të sistemit financiar./Monitor