Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë për t’i shpëtuar borxheve, do të ekstradohet në Shqipëri. Vendimi përfundimtar është marrë nga ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio, pasi gjykata e Apelit e Perugias dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit në maj të vitit të kaluar.
Në një reagim për “Il Messaggero Umbria”, biznesmeni Pecorelli ka deklaruar se nuk do ta apelojë vendimin.
“Vendimi i ministrit më befason. E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Po mendoj të mos apeloj në TAR të Lacios, duke qenë se probabiliteti i ulët i suksesit, preferoj të shkoj në Shqipëri”, ka thënë ai.
Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, u shpall i zhdukur në janar 2021 në Pukë, pas gjetjes së makinës së tij të djegur me mbetje skeletore. Pas një kërkimi ndërkombëtar, ai u gjet më 17 shtator në një gomone pranë ishullit Montecristo.
Pecorelli tronditi me deklaratën e tij se kishte qenë duke kërkuar një thesar, duke habitur autoritetet dhe opinionin publik. “Po kërkoja një thesar” tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.
Ai do të merret në paraburgim nga policia shqiptare dhe do të transferohet në burg, ku mund të vendoset një dënim alternativ gjatë procesit të apelimit.