Irani hedh poshtë bisedimet e drejtpërdrejta me SHBA-në në përgjigje të letrës së Trump


Teherani ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin në përgjigje të letrës së fundit të Presidentit Donald Trump që sugjeronte negociatat për programin bërthamor të Iranit.

Veprimet e SHBA-së kanë minuar besimin midis dy kombeve dhe ai duhet të rikthehet fillimisht para nisjes së bisedimeve, tha presidenti Masoud Pezeshkian, shkruan RT.

“Çështja e negociatave të drejtpërdrejta midis dy palëve është hedhur poshtë. Por rruga e negociatave të tërthorta është e hapur,” tha presidenti iranian në një takim të kabinetit të dielën.

Presidenti amerikan zbuloi në fillim të marsit se ai i kishte dërguar një letër udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke sugjeruar që bisedimet të rihapen. SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja e mëparshme ndërkombëtare mbi programin bërthamor iranian gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë në 2018, me ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë që akuzoi Iranin për shkelje të kushteve.

Uashingtoni më pas rivendosi sanksionet kundër Teheranit, duke bërë që Republika Islamike të ulë gradualisht angazhimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2015 të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.

“Irani nuk i ka shmangur kurrë negociatat, por mosrespektimi i SHBA-ve ka krijuar probleme në këtë rrugë, të cilat duhet kompensuar dhe besimi duhet rindërtuar. Është sjellja e amerikanëve që përcakton rrjedhën e negociatave”, tha Pezeshkian. Sipas presidentit, përgjigja iu dorëzua SHBA-ve përmes Omanit dhe tashmë ishte marrë nga Uashingtoni.

Të dielën, Trump kërcënoi Iranin me “bombardim” nëse nuk arrihet një marrëveshje.

“Do jetë bombardim të cilin ata nuk kanë parë kurrë më parë”, tha ai për NBC, duke shtuar se Uashingtoni mund të vendosë gjithashtu “tarifa dytësore” ndaj Iranit nëse përpjekjet diplomatike dështojnë.

Shumë media amerikane të lajmeve, duke përfshirë CNN dhe Axios, kanë raportuar më parë se Trump i caktoi një afat kohor prej dy muajsh Iranit për të arritur një marrëveshje të re.