Izraeli i kërkon Hamasit të largohet nga Gaza


Izraeli është i gatshëm të negociojë për t’i dhënë fund luftës së Gazës nëse Hamasi hedh armët dhe largohet nga enklava, ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, shkruan RT.

Shteti hebre dhe grupi militant fillimisht ranë dakord për një armëpushim të brishtë me tre faza në janar, pas 15 muajsh armiqësi në Gaza. Megjithatë, në mesin e marsit, Izraeli rifilloi sulmet ajrore dhe operacionet tokësore në enklavën e luftuar, ndërsa bisedimet me Hamasin për lirimin e pengjeve të mbetura dhe zbatimin e armëpushimit dështuan.

Të shtunën, zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya tha se grupi kishte pranuar një propozim të ri për armëpushim nga ndërmjetësit në Egjipt dhe Katar. Të njëjtën ditë, Izraeli konfirmoi se kishte marrë një draft të propozimit dhe tha se kishte bërë një kundërofertë, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Izraeli është gati të kalojë në fazat përfundimtare të armëpushimit, që do t’i jepte fund rrethimit të Gazës, nëse Hamasi ndalon luftimet dhe largohet nga enklava, tha Netanyahu në një deklaratë video të dielën.

“Pretendimi se ne nuk jemi të gatshëm të flasim për fazën përfundimtare të armëpushimit është i pasaktë,” tha ai.

“Ne jemi gati. Hamasi duhet të dorëzojë armët. Udhëheqësit e tij do lejohen të largohen,” tha Netanyahu.

Kabineti i Izraelit u mblodh të shtunën dhe vendosi të rrisë më tej presionin ndaj Hamasit për ta shtyrë grupin drejt lirimit të pengjeve të mbetura, tha kryeministri.

Në rast se armëpushimi është i suksesshëm, Izraeli do marrë kontrollin e Gazës, tha Netanyahu.

“Ne do sigurojmë sigurinë e përgjithshme në Rripin e Gazës dhe do mundësojmë zbatimin e planit të Trump, atë të emigracionit vullnetar”, tha ai.