Oferta e monetare e lekut u rrit më tej në janar, në nivelin më të lartë në tre vite e gjysëm. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit janar, rritja vjetore e agregatit monetar M2 arriti në 9.4%, niveli më i lartë që prej korrikut 2021.
Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare. Rritja me ritme të përshpejtuara e këtij treguesi vlerësohet se ka ardhur nga rritja e shpejtë e kreditimit prej sektorit bankar, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e monedhës vendase, por, së fundmi, edhe nga shpenzimet e mëdha të qeverisë, të përqendruara në muajin dhjetor 2024.
Fillimi i vitit 2022 pati shënuar edhe kthesën e kahut të politikës monetare, pas rreth një dekade kur ajo kishte lëvizur gjithmonë në kahun stimulues, vetëm me ulje të normës bazë të interesit. Prej atij momenti, rritja e agregatit M2 u ngadalësua ndjeshëm.
Por, gjatë vitit të kaluar, oferta monetare e lekut ka nisur të zgjerohet me ritme më të larta. Kjo përkon edhe ndryshimin e kursit të politikës monetare të Bankës Qendrore.
Në muajin korrik 2024, Banka e Shqipërisë iu kthye uljeve të normës bazë të interesit, duke e ulur fillimisht në 3% dhe më pas në 2.75%, në muajin nëntor. Normat e ulëta të interesit, ecuria e mirë e ekonomisë reale dhe e bilanceve të sektorit bankar kanë nxitur një përshpejtim të ritmeve të rritjes së kredisë.
Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të janarit arriti vlerën e 840.9 miliardë lekëve. Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë ishte në rritje me 13.5%, duke ruajtur ritme të ngjashme të rritjes me ato të fundit të vitit të kaluar.
Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në rritjen e ofertës së lekut kanë qenë edhe operacionet e blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë. Për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit euro-lek, Banka e Shqipërisë ka kryer blerje të vazhdueshme të valutës në tregun e brendshëm deri në fund të dhjetorit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej më shumë se 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.
Blerjet e mëdha të euros kanë sjellë paralelisht edhe rritje të injektimit të lekut në ekonomi, duke ndikuar zgjerimin e bazës monetare të lekut. Në fakt, rritja e ofertës së lekut besohet se ndikoi në rritjen e lehtë të kursit të këmbimit Euro-Lek në fund të muajit janar. Gjatë shkurtit dhe pjesës së parë të marsit euro qëndroi në nivele pak më të larta krahasuar me fundin e 2024, ndërsa në ditët e fundit po shfaq tendenca të reja rënëse, duke zbritur sërish poshtë 99 lekëve.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.