Mianmari vendos një javë ditë zie, ndërkohë që rritet numri i viktimave nga tërmeti


Përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave të tërmetit me magnitudë 7.7, që goditi Mianmarin të premten, vazhduan edhe të hënën, raporton DW.

Numri i viktimave është rritur ndjeshëm, me zyrtarët lokalë që konfirmojnë 2,056 të vdekur, mbi 3,900 të plagosur dhe më shumë se 270 të zhdukur.

Me komunikimin ende të ndërprerë në shumë zona, përmasat e plota të katastrofës mbeten të paqarta dhe ka gjasa se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.

Në Mandalay, pranë epiqendrës së tërmetit, ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin të gjallë katër persona nga rrënojat, përfshirë një grua shtatzënë dhe një vajzë, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Banorët e frikësuar po kalojnë netët jashtë, të paaftë për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre të dëmtuara ose shumë të trembur për të hyrë në ndërtesa për shkak të pasgoditjeve që vazhduan të trondisin qytetin gjatë fundjavës.

Spitali i përgjithshëm 1,000-shtretësh i Mandalayt është evakuuar, me qindra pacientë që po trajtohen në ambient të hapur.

“Situata është aq e rëndë sa është e vështirë të përshkruhet,” tha për AFP Aung Myint Hussein, administratori i xhamisë Sajja North në Mandalay.

Sipas OKB-së, përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit janë rënduar nga dëmtimi i rrugëve dhe infrastrukturës kritike.

Qeveria ushtarake e Mianmarit ka shpallur një javë zie kombëtare, me flamujt në gjysmështizë deri më 6 prill.

Udhëheqësit ushtarakë njoftuan gjithashtu se të martën do të mbahet një minutë heshtje për të kujtuar viktimat e tërmetit.

Në orën 12:51:02 pasdite (0621 GMT), pikërisht në momentin kur tërmeti goditi të premten, junta tha se vendi do të ndalojë çdo aktivitet për të nderuar të prekurit nga fatkeqësia.

Qindra kilometra larg, në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, tërmeti ka shkaktuar të paktën 19 viktima.

Buldozerët po punojnë për të pastruar rrënojat e një ndërtese të shembur, ku zyrtarët shpresojnë të gjejnë ende të mbijetuar.

Autoritetet besojnë se 76 persona mund të jenë ende të bllokuar mes rrënojave.

Zëvendësguvernatorja e Bangkokut, Tavida Kamolvej, tha për gazetarët se ekipet po përshpejtojnë operacionet e shpëtimit. “Çdo sekondë ka rëndësi,” theksoi ajo.