Shpresat e Marine Le Pen për të mbajtur gjallë kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2027 u rritën pasi gjykata e apelit në Paris tha se do jetë në gjendje të japë një vendim deri verën e vitit të ardhshëm, shumë më shpejt se sa pritej nga ekspertët ligjorë, shkruan Bloomberg.
Avokatja e Le Pen ka thënë se ajo apeloi dënimin e saj dhe ndalimin zgjedhor pesëvjeçar që do pengonte ambicien e saj për të zëvendësuar presidentin Emmanuel Macron, kur mandati i tij të përfundojë pas dy vitesh.
Gjykata e Apelit e Parisit tha se “do e shqyrtojë këtë çështje brenda një afati kohor që duhet të lejojë marrjen e një vendimi në verën e vitit 2026”.
Le Pen u dënua të hënën për keqpërdorimin e parave të dhëna për të paguar ndihmësit e saj kur ishte anëtare e Parlamentit Evropian. Gjykata zbuloi se asistentët po drejtonin axhendën e brendshme të partisë së saj Tubimi Kombëtar, në vend se të punonin për çështjet e BE-së.
Le Pen u shpall gjithashtu fajtore për nxitjen e të tjerëve që të bënin të njëjtën gjë me fondet e tyre, duke e çuar totalin e fondeve të përvetësuara në rreth 4.4 milionë euro. Ajo dhe partia i kanë mohuar akuzat.