Berisha akuzon Ramën e Ballukun për shpërdorim fondesh: “Inceneratori i Tiranës nuk ekziston”


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për abuzime masive me fondet publike në sektorin e infrastrukturës dhe mjedisit. Duke veçuar kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku si përgjegjës kryesorë, ai deklaroi se investimet janë mbifaturuar në mënyrë të skajshme dhe se miliarda euro janë shpërdoruar.

“Rama me Ballukun kanë shpenzuar 12 miliardë euro për infrastrukturë. Ku janë? Ju tregoj unë ju. Rrugë kombëtare nga Hani i Hotit deri në Gjirokastër, nga Tirana në Elbasan, nga Korça në Qafë-Pllocë kanë kushtuar 1 miliardë e 900 milionë. Kaq kanë kushtuar. Tani po të ndërtoheshin këto rrugë kombëtare do të kushtonin 30% më shumë. Kaq është rritur çmimi i ndërtimit. Por këtyre 1 km rrugë u kushton 10 herë më shumë,”tha Berisha.

Një tjetër pikë e fortë e kritikave të tij ishte inceneratori i Tiranës, për të cilin tha se ka marrë 130 milionë euro nga buxheti i shtetit, por ende nuk ekziston.

“Ju me taksat tuaja paguani 3 vetë, por ajo (Balluku) e dinte që ato para shkonin në konton e Edi Ramës. Ajo e qepte gojën, ajo s’fliste. Aty nuk ekziston as nam, as nishan. 130 milionë euro janë sa 812 pensione mesatare,” akuzoi Berisha.

Lideri i opozitës kritikoi gjithashtu menaxhimin e mjedisit, duke akuzuar qeverinë për shkatërrimin e pyjeve dhe për favorizimin e mafias së ndërtimit në zonat e mbrojtura. Ai premtoi se PD do të rivendosë standardet evropiane në mbrojtjen e mjedisit dhe do të ndalojë shpërdorimin e fondeve publike në projekte të dyshimta.

“Pyllëzimi do të jetë prioritet kryesor, i kombinuar me mbjelljen e drurëve frutorë. Do të rindërtojmë infrastrukturën e mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave sipas standardeve evropiane,”deklaroi ndër të tjera.

Ai e përmbylli fjalën e tij duke garantuar se, nëse PD vjen në pushtet, paratë e shqiptarëve nuk do të shpërdorohen dhe projektet publike do të realizohen me çmime reale.