Drejtori i Menaxhimit në AKU, Martin Jorgaqi, tha mbrëmjen e sotme se institucioni ndjek të njëjtat procedura si në BE dhe se ka rol kontrollues dhe jo bllokues.
I ftuar në emisionin Open në News24 lidhur me mishin e pulës me salmonelë të futur në tregun shqiptar, zyrtari i shtetit tha se ushqime të kontaminuara ka edhe në botë.
“Ushqimet e kontaminuara ndodhin edhe në botë. AKU ka rol kontrollues dhe jo bllokues. Produktet kanë jetëgjatësi të ndryshme. Në rastin konkret, Autoriteti i Kombëtar i Ushqimit kryen të njëjtat procedura që kryen në vendet e BE-së. Vinte nga Brazili salmonela, sepse është një shpërndarës i mishit në nivel global. Nuk rezulton se ka sasi të këtij mishi në treg, edhe në gjurmueshmërinë që kemi bërë për subjektet që kanë marrë këtë produkt. 2.6 ton salmonelë mund edhe të jetë konsumuar. Kemi pasur kontakte me Institutit e Shëndetit Publik dhe s’kemi pasur raportime nga konsumatorë.” – tha Jorgaqi.