Partia e djathtë National Rally (RN) ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare kundër vendimit të një gjykate franceze për të ndaluar Marine Le Pen nga posti publik për pesë vjet, një vendim që mund të prishë planet e saj për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Jordan Bardella, presidenti i RN-së, deklaroi se populli francez “duhet të ndjehet i revoltuar” nga ajo që ai e quajti një vendim “disproporcional, politik dhe i njëanshëm”, i cili, sipas tij, “ua mohon francezëve të drejtën për të zgjedhur”.
Le Pen ka njoftuar se do të apelojë vendimin, me shpresën që një gjykim i ri mund të rrëzojë dënimin dhe t’i japë asaj mundësinë të garojë në 2027, përcjell The Guardian.
Në një konferencë për shtyp në Asamblenë Kombëtare, Le Pen tha se partia e saj “nuk do të lejojë të manipulohet“, duke deklaruar se RN do të “mbrojë të drejtën e francezëve për të zgjedhur kë të duan”.
Vendimi i gjykatës erdhi pas dënimit të Le Pen dhe 24 të akuzuarve të tjerë për keqpërdorim të fondeve të Parlamentit Evropian, duke i përdorur ato për të paguar punonjës të partisë në Francë, në vend të ndihmësve parlamentarë në Bruksel.
Le Pen, 56 vjeç, u dënua gjithashtu me katër vite burg, dy prej të cilave me kusht, ndërsa dy të tjera duhet t’i vuajë me një byzylyk elektronik. Megjithatë, ndalimi i saj nga posti publik është i menjëhershëm, pavarësisht procesit të apelit.
Duke folur në një intervistë televizive për CNews, Bardella minimizoi akuzat për korrupsion, duke i quajtur ato “një mosmarrëveshje administrative me BE-në”.
Ai theksoi se “nëse Marine Le Pen mund ta sjellë RN-në në pushtet, gjithçka do të bëhet për ta ndaluar”, duke shtuar se “vendimi nuk është i drejtë dhe duhet të korrigjohet nga gjykata e apelit”.
Bardella, i cili shihet si plani B i RN-së nëse Le Pen nuk mund të kandidojë, refuzoi të flasë për një kandidaturë të mundshme të tij për zgjedhjet presidenciale. “Unë jam besnik ndaj Marine Le Pen dhe do të luftoj për të deri në fund”, tha ai.
RN ka nisur një fushatë mobilizimi, duke shpërndarë peticione dhe fletushka, ndërsa Bardella u bëri thirrje mbështetësve të marrin pjesë në protesta paqësore në të gjithë Francën.
Megjithatë, ai dënoi çdo kërcënim apo fyerje ndaj gjykatësve, duke thënë: “Kjo është e papranueshme dhe ne e dënojmë”.
Vendimi gjyqësor ka tronditur skenën politike franceze, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Le Pen do të mund të apelojë me sukses për të rikthyer të drejtën e saj për të kandiduar në 2027.