GJKKO pranon kërkesën e Belerit, nis hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçes


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar ankesën e eurodeputetit dhe ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, për të shfuqizuar vendimin e SPAK të datës 27 dhjetor 2024 dhe ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal për veprat e kallëzuara, si dhe nisjen e hetimeve ndaj ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçe.

Hetimet ndaj Xhaçkës dhe Gaçit do të zhvillohen për tokën e përfituar në Dhërmi të Bashkisë Himarë.

BW bën të ditur se GJKKO, përmes një shkrese zyrtare, ka pranuar ankesën e Belerit dhe ka udhëzuar SPAK-un të nisë procedimin penal për hetimin e akuzave që lidhen me “shpërdorim detyre”, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim nga Xhaçka dhe Gaçe.

“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.

Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.

Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Gjithashtu, në shkresë theksohet se ky vendim mund të apelohet pranë Apelit të GJKKO brenda një afati prej 10 ditësh, duke filluar nga dita e nesërme e njoftimit.