Mbiturizmi kthehet në problem në Japoni, burimet e ujërave termale të vendit po mbarojnë


Burimet termale japoneze – të njohura më mirë si onsens – çmohen për përvojën e rrallë që ofrojnë, me turistët që vijnë nga e gjithë bota për të ndenjur në pishinat natyrore.

Japonia është shtëpia e 27,000 burimeve natyrore termale, por rritja e turizmit ka bërë që disa qytete të zonës të kenë mungesë uji, duke u kthyer në shqetësim serioz, shkruan CNN.

Një nga ato qytete është Ureshino.

I ngulitur në ishullin perëndimor të Kyushu, Ureshino është shtëpia e disa prej burimeve termale më të lakmuarve të Japonisë, ku janë më shumë se 30 hotele dhe bujtina tradicionale.

Fillimisht një pikë e lakmuar midis turistëve vendas, qyteti me 25,000 banorë po fiton popullaritet në mesin e turistëve të huaj, me miliona njerëz që po dynden në Japoni.

Zyrtarët lokalë kanë lëshuar kohët e fundit paralajmërime për ndikimin e mbiturizmit në furnizimin me ujë në qytet.

“Krahasuar me periudhën para pandemisë Covid-19, numri i turistëve është rritur, gjë që çoi në përdorim më të madh të burimeve të nxehta në bujtina dhe objekte të tjera,” tha në një konferencë të fundit për shtyp nënkryetari i bashkisë Ureshino, Hironori Hayase.

Niveli mesatar i furnizimit me ujë në Ureshino ra në një rekord të ulët prej 39.6 metrash vitin e kaluar, duke shënuar një rënie prej 20% në krahasim me nivelin 50 metra të regjistruar katër vjet më parë.

Burimet termale private janë veçanërisht të kërkuara nga turistët ndërkombëtarë. Tarifat e hyrjes për shërbimet komunale kushtojnë vetëm 3 dollarë, por shumë prej tyre paraëlqejnë të paguajnë më shumë, deri në qindra dollarë, për një përvojë private në dhomat e tyre të hotelit. Kërkesa do të thotë që më shumë ujë duhet të pompohet në dhoma private, duke bërë presion mbi furnizimin.

“Ne e pranojmë se qyteti Ureshino mbështetet te turizmi, kështu që ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta mbrojtur atë. Duke bërë këtë, ne nuk do ngurrojmë të marrim asnjë masë të nevojshme,” tha Hayase.

Sipas të dhënave të Organizatës Kombëtare të Turizmit të Japonisë, numri i vizitorëve të huaj në vend arriti në 36.8 milionë vitin e kaluar. Rritja e turizmit ka rritur presionin në disa zona të njohura onsen në gjithë vendin, nga Ureshino në perëndim deri në Niseko në ishullin verior të Hokkaido, tha studiuesi Akihiro Otsuka i Institutit Kërkimor Chuo Onsen.