Musk: Lindshmëria e ulët më shqetëson shumë, njerëzimi po zhduket (Video)


Elon Musk ka shprehur shqetëim të thellë mbi lindshmërinë e ulët në SHBA dhe botën, gjë që sipas tij do çojë në zhdukjen e civilizimit.

I pyetur nga gazetari i Fox News mbi gjërat që e mbajnë zgjuar natën, shefi i DOGE tha se asgjë nuk duket se po e ndryshon tendencën në rënie të lindshmërisë në mbarë globin dhe duhet ndërhyrë shpejt në këtë drejtim para se të jetë shumë vonë.

Gazetari i Fox: Cila është gjëja më e rëndësishme për ju, që ju mban zgjuar natën?

Musk: Ka shumë gjëra për të cilat shqetësohem. Dhe disa nga këto gjëra do duken disi ezoterike për njerëzit. Shkalla e lindjeve është shumë e ulët në pothuajse çdo vend. Dhe nëse kjo nuk ndryshon, qytetërimi do zhduket. Amerika kishte normën më të ulët ndonjëherë të lindjeve vitin e shkuar.

Në vende si Koreja e Jugut, lindshmëria është një e treta e shkallës së zëvendësimit. Kjo do të thotë se në tre breza, Koreja do jetë tre ose katër përqind e madhësisë së saj tani. Dhe asgjë nuk duket se po e kthen këtë tendencë. Njerëzimi po vdes. Dua të them, unë shqetësohem përgjithësisht për fuqinë e Amerikës. Ajo është kolona qendrore që mban lart gjithë qytetërimin perëndimor. Nëse kjo kolonë dështon, gjithçka ka marrë fund. Ju nuk mund të ikni në Zelandën e Re ose në ndonjë vend tjetër. Thjesht ka marrë fund. Pra, ose do ta forcojmë atë kolonë dhe do sigurohemi që Amerika të jetë e fortë dhe të jetë e fortë për një kohë të gjatë, ose ajo çati do bjerë.