Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pamela Bondi, ka urdhëruar prokurorët federalë të kërkojnë dënimin me vdekje për Luigi Mangione, 26 vjeç, i akuzuar për vrasjen e CEO-së së UnitedHealthcare, Brian Thompson, në New York vitin e kaluar.
Urdhri nga Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi vjen si pjesë e politikës së administratës Trump për të luftuar krimin e dhunshëm
Mangione u akuzua në dhjetor për përndjekje dhe vrasje të Thompson, i cili u qëllua për vdekje në rrugët e Midtown Manhattan më 4 dhjetor. Ai gjithashtu përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së parë për qëllime terroriste, të ngritur nga prokurorët e shtetit të Nju Jorkut.
Pamela Bondi e justifikoi vendimin e saj si pjesë të agjendës së Presidentit Donald Trump për forcimin e sigurisë publike.
“Vrasja e Brian Thompson – një njeri i pafajshëm dhe baba i dy fëmijëve të vegjël – ishte një ekzekutim i paramenduar dhe gjakftohtë që tronditi Amerikën,” tha Bondi në një deklaratë për shtyp, përcjell NBC Nwes.
Pas vrasjes së CEO-së së UnitedHealthcare, Mangione u arratis nga vendngjarja me biçikletë, pranë hotelit New York Hilton Midtown, ku Thompson po qëndronte për takimin vjetor të investitorëve të kompanisë.
Pamjet e kamerave të sigurisë e treguan atë duke pedaluar drejt Central Park, ku më pas humbi gjurmët.
Pesë ditë më vonë, më 9 dhjetor, ai u njoh nga një qytetar në një restorant McDonald’s në Altoona, Pensilvani, dhe u arrestua nga autoritetet.
Avokati i Mangione nuk ka bërë ende një koment mbi vendimin e Prokurores së Përgjithshme për të kërkuar dënimin me vdekje.
Megjithatë, Mangione ka deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ndërkohë, çështja e tij pritet të bëhet një nga gjyqet më të ndjekura në SHBA, duke pasur parasysh tronditjen publike dhe rëndësinë e viktimës në botën e biznesit.