Putin thërret 160,000 rekrutë në ushtri, numri më i lartë i rekrutimeve që nga viti 2011


Presidenti Vladimir Putin ka thirrur 160,000 burra të moshës 18-30 vjeç, numrin më të lartë të rekrutëve të Rusisë që nga viti 2011, ndërsa vendi po përpiqet të zgjerojë madhësinë e ushtrisë së tij, përcjell BBC.

Thirrja pranverore për shërbimin ushtarak një-vjeçar vjen disa muaj pasi Putin deklaroi se Rusia duhet të rrisë numrin e përgjithshëm të forcave të saj ushtarake në gati 2.39 milionë dhe numrin e ushtarëve aktivë në 1.5 milionë.

Kjo përfshin një rritje prej 180,000 trupash gjatë tre viteve të ardhshme.

Nënadmirali Vladimir Tsimlyansky tha se rekrutët e rinj nuk do të dërgohen për të luftuar në Ukrainë, për atë që Rusia e quan “operacion special ushtarak”.

Megjithatë, ka raportime për rekrutë të vrarë në luftime në rajonet kufitare të Rusisë, dhe në muajt e parë të luftës në shkallë të gjerë, ata u dërguan të luftonin në Ukrainë.

Thirrja aktuale për rekrutë, e cila zhvillohet midis prillit dhe korrikut, ndodh pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të arritur një armëpushim në luftë.

Dhuna nuk është ndalur as të martën, me Ukrainën që raportoi se një sulm rus ndaj një impianti energjetik në qytetin jugor të Khersonit la 45,000 njerëz pa energji elektrike.

Rusia thërret rekrutë në pranverë dhe vjeshtë, por thirrja e fundit prej 160,000 të rinjsh është 10,000 më e lartë se e njëjta periudhë në vitin 2024.

Që nga fillimi i vitit të kaluar, grupi i të rinjve të disponueshëm për rekrutim është zgjeruar, pasi mosha maksimale e rekrutimit është rritur nga 27 në 30 vjeç.

Përveç njoftimeve të dërguara me postë, të rinjtë rusë do të marrin edhe njoftime për rekrutim përmes portalit shtetëror Gosuslugi.

Në Moskë, raportohet se njoftimet për rekrutim janë dërguar tashmë më 1 prill përmes faqes zyrtare të qytetit, mos.ru.

Një numër në rritje i rusëve po përpiqen të shmangin ushtrinë duke zgjedhur “shërbimin civil alternativ”. Megjithatë, avokati për të drejtat e njeriut, Timofey Vaskin, paralajmëroi në mediat e pavarura ruse se çdo thirrje e re rekrutimi që nga fillimi i luftës është bërë një llotari:

“Autoritetet po shpikin forma të reja për të mbushur radhët e ushtrisë”.

Përveç thirrjeve dy herë në vit, Rusia ka rekrutuar edhe një numër të madh ushtarësh me kontratë dhe ka rekrutuar mijëra luftëtarë nga Koreja e Veriut.

Moska është përballur me humbje të mëdha në Ukrainë, me më shumë se 100,000 ushtarë të konfirmuar të vrarë nga BBC dhe Mediazona.

Putin e ka zgjeruar ushtrinë ruse tre herë që kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Ministria ruse e mbrojtjes e lidhi rritjen e numrit të forcave ushtarake në dhjetor 2023 me “kërcënimet në rritje” nga lufta në Ukrainë dhe “zgjerimin e vazhdueshëm të NATO-s”.

Si rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit rus të Ukrainës, NATO është zgjeruar duke përfshirë Finlandën dhe Suedinë.

Finlanda ka kufirin më të gjatë me Rusinë nga të gjitha vendet e NATO-s, me 1,343 km. Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, deklaroi të martën se vendi i tij do të tërhiqet nga Konventa e Otavës që ndalon minat antipersonale, ashtu siç kanë bërë edhe Polonia dhe shtetet baltike dy javë më parë për shkak të kërcënimit ushtarak nga Rusia.

Orpo theksoi se vendimi për të rifilluar përdorimin e minave antipersonale bazohet në këshillat e ekspertëve ushtarakë dhe se qytetarët finlandezë nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar.

Qeveria finlandeze gjithashtu njoftoi një rritje të buxhetit të mbrojtjes, duke e çuar atë në 3% të PBB-së, nga 2.4% që ishte vitin e kaluar.