Tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen, dhjetëra të vrarë në Gaza dhe Bejrut pas rinisjes së sulmeve


Situata në Lindjen e Mesme vijon të përshkallëzohet pas rinisjes së bombardimeve izraelite në Gaza dhe sulmeve ajrore në Bejrut, duke shkaktuar viktima të shumta mes civilëve dhe përfaqësuesve të grupeve militante, raporton DW.

Sipas UNICEF-it, të paktën 322 fëmijë janë vrarë dhe 609 të tjerë janë plagosur në Gaza që nga 18 marsi, kur ushtria izraelite rifilloi sulmet pas prishjes së armëpushimit.

“Shumica e këtyre fëmijëve ishin të zhvendosur, duke u strehuar në tenda të improvizuara ose në shtëpi të dëmtuara”, thuhet në një deklaratë të agjencisë së OKB-së.

Organizata thekson gjithashtu se ndërprerja totale e furnizimeve humanitare për tri javë radhazi ka bërë që situata në Gaza të jetë në kufijtë e katastrofës.

“Armëpushimi ishte një shpresë për fëmijët e Gazës dhe një rrugë për rimëkëmbje”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell. OKB raporton se që nga fillimi i luftës, mbi 15,000 fëmijë janë vrarë në Gaza.

Ndërkohë, përplasjet janë përshkallëzuar edhe në Liban. Sulmet ajrore izraelite në Bejrut kanë vrarë katër persona, përfshirë një zyrtar të Hezbollahut, Hassan Bdeir. Izraeli e konfirmoi sulmin, duke deklaruar se Bdeir kishte bashkëpunuar me Hamasin për të organizuar një “sulm të afërt terrorist” ndaj civilëve izraelitë.

Ky ishte sulmi i dytë izraelit në Bejrut që nga nëntori, duke shkelur armëpushimin mes Izraelit dhe Hezbollahut, sipas kryeministrit libanez Nawaf Salam. Ai e cilësoi bombardimin si “shkelje flagrante të Rezolutës 1701 të OKB-së”, që rregullon marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Përshkallëzimi i dhunës rrezikon të zgjerojë konfliktin në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe rifillimin e përpjekjeve diplomatike për një armëpushim të qëndrueshëm.