Thirrja e Berishës: TikTok-u e tmerron Edi Ramën, shkarkoni VPN-të. Trump fitoi nga rrjetet sociale


Kreu i PD-së Berisha u bëri thirrje qytetarëve të shkarkojnë VPN-në e të përdorin TikTok-un, aplikacioni që sipas tij, tmerron kryeministrin Rama.

Gjatë një takimi me kandidatët e qarkut Tiranë për zgjedhjet e 11 majit ai hoqi një paralele me presidentin amerikan Donald Trump, kur pohoi se ky i fundit i fitoi zgjedhjeet e vitit 2016 nga ndihma e madhe e rrjeteve sociale.

Berisha theksoi gjithashtu se shumica e mediave kontrollohen nga qeveria dhe rrjetet sociale janë i vetmi instrument i pakapur ende.

“Dua të adresoj disa probleme në kushtet e kësaj fushate. Ne do përcaktojmë mjetin kryesor për të fituar mendjen dhe zemrat e qytetarëve të Tiranës. Premtimet tona janë 100% të realizueshme. Ju të gjithë jeni njerëz mediatikë, por problemi është se mediat nuk i kemi me vete, kjo është e vërteta. Mediat janë në masën më të madhe të kontrolluara nga qeveria. Qeveria jo vetëm që në tërësi ua dikton politikat editoriale, por qeveria për fat të keq u dikton edhe tematikat se si të vrasin kohën nëpër studio dhe të mos merren me thelbin. Po ta vini re ju, kohën më të pakët që të japin në studio, është koha për programin. Po ne programin kemi, ne aty shkojmë për programin se jemi në fushatë. Atëherë çfarë na mbetet ne? Na mbeten mediat sociale. Ju të gjithë keni mediat sociale dhe ju do bëni gjithçka t’i përdorni ato në shkallën më maksimale. Dhe kur i përdorni vetë, u kërkoni të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj të bëjnë share, t’i postojnë. Me një fjalë, le t’i ndezim ne mediat sociale si asnjëherë tjetër.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej: “Në vitin 2016, Donald Trump fitoi nga mediat sociale. Është shumë e njohur kjo. Ai fitoi se nuk i kishte mediat me vete, megjithëse vetë ka qenë në shoubiz, ka pasur program, por prapë mediat i kontrollonte tjetër kush. Përdori shumë mediat sociale. Ne të kombinojmë këto faktorë, mediat sociale dhe takimin, të dyja në krahasim me krahun tjetër që është një krah mëkatar, i përçarë, që duhet t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Ndaj dhe të bëjmë ç’është e mundur për përdorimin maksimal. Shkarkoni VPN-të për TikTokun, mos e injoroni. Pse u them unë mos e injoroni? Se TikToku e tmerroi atë. E tmerroi saqë e ka dërguar deri në atë shkallë sa ndërhyn për persona të veçantë dhe ua fshin llogarinë. Por këto janë akte dëshpëruese të tij. Prandaj mundësisht krahas Facebook e Instagram, kthehuni tek VPN dhe shpresoj që të funksionojë TikToku në telefonat tuaj. Ky ka kryer një krim madhor, ka vënë aparatura të kontrollit të plotë të internetit. Është kthyer biri i të atit. Në një mani të papërmbajtur për të kontrolluar fjalën e lirë dhe mendimet e shqiptarëve. Por, natyrisht këto nuk janë pengesa për ne, këto janë nxitje për t’u përkushtuar shumë më tepër se gjer sot rrjeteve sociale.”