Trafikonin armë zjarri nga Kosova dhe i shisnin në Tiranë, në pranga dy persona


Pas hetimeve disamujore, DVP Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, duke goditur një rast të trafikut të armëve të zjarrit nga Kosova me qëllim shitjen në Shqipëri.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar 2 pistoleta dhe municion luftarak, ndërsa janë arrestuar dy shtetas kosovarë, Altin Pajaziti, 23 vjeç, dhe Kadri Prushi, 53 vjeç, të cilët dyshohet se i kanë trafikuar armët me vlerë rreth 10,000 euro.

Njoftimi:

DVP Tiranë/Finalizohet pas hetimeve disamujore, operacioni policor i koduar “Suspend”.

Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 2 pistoleta dhe municion luftarak.

Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro.

 

Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:

Altin Pajaziti 23 vjeç dhe Kadri Prushi 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.

Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.