Von der Leyen: BE-ja ka një ‘plan të fortë’ për të kundërpërgjigjur tarifave të Trumpit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian ka një “plan të fortë” për të kundërpërgjigjur tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, por se blloku do të preferonte të negocionte në vend që të hynte në një konfrontim të hapur.

Trump ka paralajmëruar se nga e mërkura do të vendosë tarifa mbi mallrat nga e gjithë bota, duke e përmbysur politikën tregtare transatlantike të tetë dekadave të fundit.

Administrata e tij ka vendosur tashmë tarifa mbi çelikun dhe aluminin e importuar, ndërsa nga e enjtja do të hyjnë në fuqi doganat më të larta për makinat e importuara.

Duke folur të martën në Parlamentin Evropian, von der Leyen paralajmëroi se sektorët e ardhshëm që do të preken nga tarifat amerikane janë gjysmëpërçuesit, farmaceutika dhe druri, përcjell The Guardian.

Ajo pranoi se shumë evropianë ndihen të “zhgënjyer” nga këto masa, por theksoi se BE-ja është gati të përgjigjet:
“Evropa nuk e ka nisur këtë konfrontim. Nuk duam domosdoshmërisht të hakmerremi, por nëse është e nevojshme, kemi një plan të fuqishëm për të kundërpërgjigjur dhe do ta përdorim atë.”

Pas vendosjes së tarifave mbi çelikun dhe aluminin në mars, Komisioni Evropian njoftoi se do të vendosë kundërmasa mbi mallra amerikane me vlerë deri në 26 miliardë euro.

 Këto përfshijnë rikthimin e tarifave mbi 4.5 miliardë dollarë mallra amerikane, si xhinset dhe motorët Harley-Davidson, të cilat ishin pezulluar gjatë presidencës së Joe Bidenit.

Masat pritet të zbatohen në mes të prillit, pasi Komisioni Evropian e shtyu fillimisht datën 1 prill për të koordinuar më mirë reagimin me 27 vendet anëtare.

Ndërkohë, BE-ja po konsultohet me shtetet anëtare për një valë të dytë tarifash, të cilat mund të arrijnë në 18 miliardë euro dhe të përfshijnë çelikun, aluminin, pulën, mishin e viçit, ushqimet e detit dhe arrat.

Megjithatë, vendet anëtare po ushtrojnë presion për të mbrojtur interesat kombëtare. Për shembull, Franca është e shqetësuar se verërat dhe pijet alkoolike franceze mund të goditen nëse BE-ja vendos tarifa mbi bourbon-in amerikan. Kryeministri francez, François Bayrou, i cilësoi këto masa si një “gabim”, pas takimeve me përfaqësuesit e industrisë së konjakut.

Marrëdhëniet tregtare BE-SHBA ishin me vlerë 1.6 trilion euro në vitin 2023, me Evropën që eksporton më shumë mallra në SHBA sesa anasjelltas.

Kjo e vendos bllokun në një pozitë më të fortë negociuese, sidomos për sektorët e automjeteve, ilaçeve dhe produkteve farmaceutike.

Von der Leyen nuk përjashtoi mundësinë e masave hakmarrëse në sektorin e shërbimeve, si pezullimi i të drejtave të pronësisë intelektuale. Në teori, BE-ja mund të synojë edhe kompanitë amerikane të teknologjisë, bankat dhe ofruesit e shërbimeve financiare.

Ajo theksoi se BE-ja ka shumë mjete në dorë për të reaguar, duke përfshirë tregtinë, teknologjinë dhe madhësinë e tregut të saj:
“Ne kemi forcën dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim masa të forta kundërpërgjigjjeje nëse është e nevojshme.”