Kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka përkujtuar sot katër të rinjtë e rënë në Shkodër më 2 prill 1991, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, të vrarë nga regjimi komunist në përpjekjen për të shtypur thirrjet për liri.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha i cilësoi ato të shtëna si përpëlitjet e fundit të një regjimi në agoni dhe 2 Prillin si një simbol të qëndresës dhe guximit që sollën demokracinë.
Ai shprehu lavdi për martirët dhe vlerësoi Shkodrën, që sipas tij, nuk u përkul kurrë përballë diktaturës. “Liria dhe demokracia nuk falen, ato fitohen me qëndresë dhe guxim,” theksoi Basha në mesazhin e tij.
Postimi i plotë i Bashës:
Sot përkujtojmë me nderim dhe dhimbje katër të rinjtë e rënë në Shkodër më 2 prill 1991, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, që u vranë nga regjimi komunist, sepse guxuan t’i thonë diktaturës se koha e saj kishte marrë fund.
Ato të shtëna nuk ishin thjesht krim, ishin përpëlitjet e fundit të një regjimi në agoni përballë një populli që kishte zgjedhur lirinë dhe Perëndimin.
Shkodra atë ditë nuk u gjunjëzua, Shqipëria atë ditë u ngrit!
2 Prilli nuk është vetëm një plagë e padrejtësisë, por edhe një kujtesë e përhershme se liria dhe demokracia nuk falen, ato fitohen me qëndresë dhe guxim.
Sot, kjo përpjekje vazhdon. Dhe në çdo hap që hedhim për ndryshim, në çdo betejë që bëjmë për drejtësi, liri dhe dinjitet, kemi në zemër sakrificën e tyre.
Lavdi përjetë martirëve të 2 Prillit!
Nderim Shkodrës që nuk u përkul kurrë!