Nga Çim Peka
Me Batonin replikohet çdo natë publikisht në emisionin tim, jo për hir të debatit, por sepse në shumë çështje kemi qëndrime krejt të kundërta. Një artikull replikë i tij, mbi debatin në studio për një shkrim të mëparshëm, më bëri të reflektoj mbi qëndrimet e tij përtej debatit televiziv.
Kolegu dhe miku im Baton më akuzonte se kisha kundërshtuar tezat e tij pa e lexuar artikullin. E vërtetë është. Nuk e kisha lexuar. Por thjesht pretendimi i tij se Ramës i duhej edhe një mandat tjetër për ta bërë Shqipërinë evropiane e bënte leximin e artikullit të panevojshëm. Për hir të replikës, ju riktheva artikullit për të parë argumentet e tij. U bëra pishman. Nuk kishte asnjë argument. Njësoj si Rama që nuk ka program.
Në artikullin e parë, miku im Baton na thoshte se Ramës i takon një mandat i katërt sepse kishte parë një prezantim të tij, me gjasë në PowerPoint, dhe i ishte mbushur mendja. Pasioni religjioz i tij për ta paraqitur Ramën si liderin që do na çojë në Evropë, më kujton të njëjtin pasion me të cilin promovonte ndarjen e Kosovës dhe idenë se Hashim Thaçi është një shqiptar i madh. Sesi shkoi historia e ndarjes së Kosovës dhe e Thaçit tashmë dihet.
Batoni thoshte se te prezantimi i Edi Ramës kishte parë “një rrëfim të vendit që po del nga errësira e tranzicionit dhe po sheh veten në pasqyrën e Evropës”, duke shtuar se aty kishte parë “një ide konkrete se si Shqipëria mund të jetë moderne, efikase, e pasur dhe në fund evropiane”. Ku e pe, Baton? I magjepsur nga prezantimi, Batoni shprehet se “kur sheh me vëmendje prezantimin e tij, nuk sheh diktatin e zakonshëm të pushtetit, por një formë të re të qeverisjes që kërkon të bindë jo me frikë por me përparim, dhe se përballë kësaj, kritika tradicionale humbet peshë, mbetet pezull”.
Baton, nuk e di se në çfarë universi paralel jeton ti, por sa i përket diktatit dhe frikës, unë mund të tregoj jo një, por mijëra shembuj sesi administrata publike kërcënohet me vendin e punës nëse nuk siguron 5 vota familjare. Kjo shkon edhe për bizneset private dhe punonjësit e tyre. Hajde, Baton, bëjmë një eksperiment: marrim një biznes privat që pret Sali Berishën, dhe do të shohim se brenda 48 orëve aty do zbarkojnë tatimorët. Për çfarë lirie dhe përparimi e ke fjalën? Kjo është ajo që ti quan se kjo burokraci po modernizohet dhe efikasizohet si pjesë e vizionit evropian?
Pastaj Batoni thotë se është e vërtetë që vendimmarrja është e centralizuar, por ky centralizim ka sjellë rritjen e pagave, reformimin e arsimit dhe shëndetësisë. Baton, seriozisht e ke? Flet për arsimin dhe arrestimet si sukses në të njëjtin artikull? Ti e quan zhvillim dhe arritje që mburremi për burgjet që hapim dhe shkollat që mbyllim? Ke bërë ndonjëherë analizë se sa është numri i personave në burg në raport me popullsinë? Po sa është numri i shkollave që janë mbyllur këto 12 vite? Po numri i nxënësve që janë larguar nga vendi bashkë me familjet e tyre? Ke parë ndonjëherë vlerësimin PISA të studentëve tanë? E di që kemi nxënësit më të dobët në Evropë? E di që në vlerësimin e vitit 2024 nxënësit tanë renditeshin midis Indonezisë dhe Guatemalës?
Merr kurajën dhe flet për sukses në shëndetësi? Ty me siguri të duket Vilma Nushi si Marie Curie, se ndryshe nuk ka mundësi. Çdo shërbim shëndetësor është dhënë me koncesion, dhe çdo koncesion është nën hetim penal. Ministri i Shëndetësisë në burg, pasuesja e tij nën hetim, dhe ti flet për sukses në shëndetësi? Në kohën që ti shkruaje për sukseset në shëndetësi, Syri.net transmetonte një emision ku tregohej se të sëmurët me kancer ktheheshin mbrapsht se nuk kishte ilaçe. Në të njëjtën kohë, Edi yt, në vend që të siguronte ilaçet, inauguronte një investim disa milionë euro për një hotel dhe park në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”. Ku është zhvillimi, Baton – tek tenderi 10 milionë euro për hotelin apo mungesa e ilaçeve për kimioterapi?
Në mungesë të një argumenti si programi i Ramës, Batoni e mbyll artikullin i ekzaltuar se “shija e Bashkimit Evropian është përkthyer në gjuhën e një vendi të vogël që ka vendosur më në fund të jetë i madh në vizion”. Në cilin vizion? Mund të duket i madh në televizion, por jo në vizion. Sepse në vizion, nuk është as i madh, as i vogël. Vizioni të cilit i referohet Batoni nuk ekziston fare. Apo është “Pasaporta Evropiane në vitin 2030”?
Boshllëkun e artikullit të parë, Batoni mundohet ta mbushë me artikullin e dytë, si replikë ndaj meje. E vetmja gjë që bie dakord me Batonin në artikullin e dytë është që po, me një mandat të katërt Edi Rama do t’i bëjë shqiptarët me pasaportë evropiane. Por jo duke integruar Shqipërinë në BE, por duke larguar edhe këta pak shqiptarë që kanë mbetur.
Baton, shqiptarët tashmë janë evropianë edhe me pasaportë. 480 mijë shqiptarë kanë pasaportë italiane. 600 mijë kanë pasaportë greke. Rreth 500 mijë të tjerë janë nëpër shtete të tjera me pasaportë ose në proces të marrjes së saj. Janë shqiptarët që ikën në vitet ’90 nga varfëria e shkaktuar nga regjimi i partisë së Edi Ramës. Janë edhe 1 milion të tjerë që kanë ikur nga varfëria nën udhëheqjen madhështore të Edi Ramës në këto 12 vjet. Nga 70% e popullsisë së Shqipërisë që kanë ikur, 40% tashmë kanë pasaportë perëndimore. 25% të tjerë që nuk e kanë marrë akoma, sepse kanë ikur vonë, do ta marrin. 5% janë në të zezë.
Batoni zemërohet me ne kur nuk e vlerësojmë kur ai flet për vizion, estetikë dhe rend. Të tre këto koncepte bashkohen te një gjë e vetme: kullat e larta në Tiranë dhe fshatrat turistike në bregdet. Për vizion, sepse i vetmi vizion i Ramës janë lejet e ndërtimit. Për estetikë, sepse Rama kujdeset vetë për projektimin e tyre. Për rend, sepse ato janë produkt i pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit.
Korrupsioni, thotë Batoni, nuk është shpikje shqiptare, dhe se ai prek në thelb marrëdhënien midis moralit dhe performancës politike të projektit. Korrupsioni nuk është shpikje shqiptare, por të japësh 130 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston – kjo është shqiptare. Të kesh gjysmën e kabinetit qeveritar në burg është shqiptare, dhe gjysmën tjetër rrugës për atje – kjo është shqiptare.
Edhe krimi nuk është shpikje shqiptare, por të kesh 26 deputetë dhe kryetarë bashkish të një partie të vetme të larguar për shkak të dekriminalizimit – kjo është shqiptare. Është socialiste. Është EdiRamiste. Korrupsioni nuk është “marrëdhënie midis moralit dhe performancës politike”. Morali mund të jetë në shoqëri, në kishë dhe në xhami. Në terrenin për të cilin po flasim, korrupsioni nuk është çështje morale, por penale.
Në zemër të çështjes morale, penale dhe evropiane të korrupsionit qeveritar kemi shembullin e ngrirjes së fondeve IPARD II të Bashkimit Evropian. Miku im Baton, Komisioni Evropian çdo vit jep një fond në formën e grantit për AZHBR – Agjencinë që merret me zhvillimin e bujqësisë në vend. Pas hetimeve të kryera nga zyra e OLAF (prokuroria e KE), rezultoi se këto fonde ishin abuzuar dhe vjedhur. Si masë, Komisioni Evropian ka ngrirë plot 270 milionë euro të destinuara për këtë projekt.
Ka më shumë se tre vjet që këto fonde janë të ngrira në “pritje të masave që do ndërmarrë qeveria shqiptare për të adresuar problemin e vjedhjes”. E di Baton se cila është masa që ka marrë qeveria shqiptare? Frida Krifca, nga titullare e atij institucioni, në vend që të shkarkohej, u promovua ministre e Bujqësisë. Zyra e OLAF ka depozituar dosjen e plotë në SPAK, por ndaj saj nuk ngrihet akuzë dhe as nuk arrestohet, sepse i duhet Edi Ramës të kalojë njëherë 11 majin.
Batoni mburr Ramën se bëri Reformën në Drejtësi dhe se krijoi SPAK-un që “nuk ndalon më në derën e ministrisë”. A nuk ishte Edi Rama ai që para pak javësh i tha SPAK-ut në konferencë për shtyp “…dhe mos guxoni të kërkoni telefonin tim”? Për çfarë reforme në drejtësi flet ti, Baton? Për çfarë SPAK-u? Atë të Irena Gjokës, e cila është e provuar me dokumente zyrtare që është dënuar në Greqi me vendim të formës së prerë, e që megjithatë ka kaluar vetting-un? Në vend që të ishte në burg për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, ajo mbahet në detyrë se duhet të burgosë Sali Berishën?
Apo për SPAK-un që akuzon Bardh Spahinë për shpërdorim detyre sepse ka shkarkuar nga puna një drejtor ujesjellësi me rekomandim të KLSH-së, ndërkohë që për 12 vjet shteti shqiptar ka paguar 170 milionë euro për largimet e padrejta nga puna nga qeveria e Edi Ramës? Apo për atë që mbyll hetimin ndaj vëllait të Ramës duke thënë se “nuk e dimë kush ka qenë në makinë me trafikantët, por nuk ka qenë Olsi”?
Ku Sali Berisha provon me dokumente zyrtare se ai ka udhëtuar të paktën shtatë herë me makinë me trafikantët; ku Olsi thotë jo shtatë, por vetëm një herë, dhe SPAK thotë asnjëherë? Për SPAK-un që arreston Erion Veliajn për blerjet e bashkëshortes, por jo për firmat e tij në vjedhjet e provuara prej qindra milionë eurosh? Mund të vazhdoj pa fund me shembuj: nga arrestimi i Sali Berishës, i Ilir Metës, i Ervin Salianjit, te përndjekja e Arben Ahmetajt, te qindra dosje të ministrave e drejtorëve që mbahen të pluhurosura nga SPAK.
Prandaj, Baton, nuk ta lexova shkrimin e parë. Sepse ai nuk ka të bëjë as me çështje vizioni, as korrupsioni, as pasioni, por misioni.