Berisha në Shkodër: Diktatura sot bazohet te ideologjia e Dobraçit dhe terrorit


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të katër martirëve të vrarë më 2 Prill 1991 në Shkodër, duke e theksuar rëndësinë e sakrificës së tyre në luftën për liri.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka krahasuar situatën politike aktuale me diktaturën e kaluar, duke e cilësuar qeverisjen e sotme si një “regjim të bazuar në krim dhe terror.”

Ai ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur atë “kryebandit” dhe duke theksuar se regjimi aktual është një diktaturë e dytë, po aq e shëmtuar sa e para.

 

 

“Ne kujtojmë sot sakrificën e tyre sublime në një diktaturë që nuk bazohet më në ideologjinë e komitetit të partisë, por në ideologjinë e Dobraçit, të krimit e terrorit!

Kjo është një diktaturë po aq e shëmtuar sa e para. Bazohet në ideologjinë e një bande që kërkon të mposhtë një qytet liridashës. Kjo bandë ka një kryebandit në krye që quhet Edi Rama.

Ndaj dhe sot sakrifica, heroizmi i martirëve të Shkodrës është më frymëzues se kurrë, është thirrje për çdo qytetar të këtij qytetit të bekuar, për çdo shqiptar të kthejmë 11 majin në ditën e votës së lirë, të kthejmë më 11 maj dritën e lirisë në Shkodrës dhe mbarë Shqipërinë.

Në 11 maj ne do të firmosim projektin e ëndrrës shqiptare, që ndëshkon me forcën e ligjit krimin, korrupsionin dhe mbron të drejtat e qytetarëve.

Projektin e Shqipërisë që kthehet në një epiqendër të zhvillimit të teknologjive, një superfuqi energjetike, Shqipëri shprese e besimi. “, tha Berisha.