Demokratët fitojnë zgjedhjet për Gjykatën e Lartë në Wisconsin, humbje për Elon Musk


Zgjedhjet për Gjykatën e Lartë në Wisconsin shënuan një humbje për Elon Musk dhe republikanët, pasi gjykatësja e mbështetur nga demokratët, Susan Crawford, u shpall fituese ndaj kundërshtarit të saj konservator, Brad Schimel.

Kjo fitore ruan shumicën liberale 4-3 në gjykatën më të lartë të shtetit dhe mund të ndikojë ndjeshëm në redistriktimin zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2026 dhe presidencialet e 2028-ës.

Kjo ishte zgjedhja më e shtrenjtë gjyqësore në historinë e SHBA, me mbi 100 milionë dollarë të shpenzuara nga kandidatët dhe mbështetësit e tyre. Vetë Musk kontribuoi 20 milionë dollarë, duke u bërë një figurë kyçe në fushatë, përcjell BBC.

Megjithatë, strategjia e demokratëve për ta portretizuar atë si një miliarder që përpiqej të blinte një vend në gjykatë funksionoi. Në fjalimin e saj të fitores, Crawford deklaroi:

“Wisconsin tregoi qartë se drejtësia nuk ka çmim. Gjykatat tona nuk janë në shitje.”

Musk, nga ana e tij, pranoi humbjen në një postim në rrjetin e tij X, duke thënë:
“E prisja të humbisja, por ndonjëherë humbja e një pjese sjell përfitime strategjike.”

Kjo humbje shënon një goditje për Donald Trump, i cili mbështeti Schimel në këtë garë, pasi kishte fituar Wisconsin-in me një diferencë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Megjithatë, republikanët patën sukses në Florida, ku Jimmy Patronis dhe Randy Fine fituan zgjedhjet speciale për dy vende në Dhomën e Përfaqësuesve. Këto fitore ndihmojnë shumicën e brishtë republikane në Kongres, e cila tani do të jetë 220-213.

Gjykata e Lartë e Wisconsin-it pritet të luajë një rol kyç në përcaktimin e distrikteve të reja zgjedhore, një çështje që mund të ndikojë ekuilibrin e pushtetit në Kongres.

Demokratët pritet të sfidojnë hartën aktuale zgjedhore, e cila u ka dhënë republikanëve 6 nga 8 vendet e shtetit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Musk ka deklaruar se do të vazhdojë të mbështesë republikanët në përballjet e ardhshme, duke sinjalizuar se beteja për kontrollin e Kongresit në 2026 do të jetë e ashpër dhe e kushtueshme.