Fraksioni më i madh dhe më i fuqishëm i Evropës, Partitë Popullore Evropiane, ka arritur të mbajë në linjë deputetët e tij dhe çelësi për këtë është disiplina.
EPP e qendrës së djathtë paralajmëron 188 ligjvënësit e saj se ata do ndëshkohen me kohë të kufizuar të të folurit dhe me role të zvogëluara nëse nuk ndjekin vijën e partisë, zbulon një dokument i brendshëm i siguruar nga POLITICO. Në disa raste, ligjvënësit futen në listën e zezë përsa i përket kohës së të folurit nëse nuk e informojnë paraprakisht EPP-në që nuk do vijnë në seancë.
“Grupi PPE do mbetet grupi politik më i fortë dhe më me ndikim në Parlamentin Evropian nëse besnikëria ndaj Grupit dhe linjës së Grupit ruhet”, thuhet në dokument.
Strategjia është një shenjë dalluese e PPE-së, e drejtuar nga kryetari i saj, një peshë e rëndë politike gjermane si Manfred Weber. Ndërsa konservatori komandues udhëheq me dorë të hekurt për të ushtruar ndikim brenda institucioneve të Brukselit, ai ia lë zbatimin e udhëzimeve të grupit të dytit në komandë, “shefit të kërbaçit”, Jeroen Lenaers.
Lenaers është zyrtari zbatues më i lartë i grupit, i ngarkuar me sigurimin e disiplinës partiake në një grup me 27 kombësi.
“Udhëzimet nuk zbatohen në mënyrë rigoroze si rregulla strikte, por shërbejnë si parime udhëzuese për punën ekipore efektive,” tha Lenaers, një ligjvënës holandez me përvojë.
Sipas Lenaers, udhëzimet e datës 15 janar 2025, kanë qenë në fuqi, të pandryshuara, për vite me radhë.
Në to EPP-ja ofron karrota, por kryesisht mbështetet të kërbaçi.
Përmes besnikërisë vjen edhe influenca
Udhëheqja e grupit PPE vëzhgon nga afër deputetët dhe shpërblen ata që ndjekin linjën e partisë me pozicione të fuqishme negociuese në dosjet legjislative. Çmime të tilla mund të përfshijnë përzgjedhjen si raportues – eurodeputet i ngarkuar për hartimin e qëndrimit të përbashkët të Parlamentit – si raportues në hije, ose për një rol tjetër për periudha të papërcaktuara kohore, sipas dokumentit.
Nëse një relator shkon kundër interesave të partisë, mund të caktohet dikush tjetër që ta zëvendësojë dhe ta anashkalojë në negociatat në Parlament, paralajmëron dokumenti.
Ata që nuk hyjnë në radhë nuk do nominohen për postet kyçe për një kohë të papërcaktuar, vuri në dukje dokumenti.
Kjo nuk do të thotë se rebelimet nuk ndodhin. Në mandatin e mëparshëm, për shembull, delegacioni irlandez theu radhët dhe mbështeti një ligj të diskutueshëm të BE-së gjatë një votimi shumë të ngushtë, duke lejuar përfundimisht miratimin e legjislacionit kur EPP e kishte kundërshtuar atë me forcë.
Kohët e fundit, ligjvënësit spanjollë dhe sllovenë votuan kundër Komisionit të ri në nëntor. Është e paqartë se si kjo ndikoi në pozitën e tyre në grup.
“Ne punojmë ngushtë së bashku, duke u përafruar me qëllimet tona të përbashkëta,” tha Lenaers, por “në të njëjtën kohë, ne njohim të drejtën e anëtarëve për të votuar sipas ndërgjegjes dhe bindjeve të tyre politike.”
Big Brother po ju shikon
Ka pasoja, gjithashtu, nëse anëtarët e Parlamentit humbasin kohën e caktuar të fjalimit gjatë debateve plenare pa paralajmërim 24 orë më parë për mungesën.
“Anëtarët që janë në listën e folësve dhe nuk informojnë për mungesën e tyre në seancë plenare, nuk do të kenë më përparësi për kohën e fjalimit në 6 muajt e ardhshëm”, thuhet në dokument, duke kërcënuar ligjvënësit se do përfshihen në të ashtuquajturën listë të zezë nëse kjo ndodh vazhdimisht.
Për më tepër, EPP ndjek pjesëmarrjen. Ligjvënësit që nuk paraqiten për kohën e caktuar të fjalimit do të mbeten pa kohë fjalimi gjatë seancës plenare vijuese, sipas dokumentit.
Për të siguruar disiplinën, PPE kontrollon të dhënat e votimit të ligjvënësve kundër rryës së drejtimit politik nga udhëheqja.
Tabelat dhe grafikët përpilohen për çdo anëtar dhe çdo delegacion kombëtar “sipas muajit, tremujorit ose semestrit”, thuhej në dokument.
Deputetët marrin një “letër personale dhe konfidenciale” dy herë në vit, duke zbërthyer pjesëmarrjen dhe votimin e tyre në dy komisionet dhe në seancë plenare, të cilën ata mund ta krahasojnë me mesataren e grupit.
Të dhënat i përcillen kryesisë së grupit, krerëve të delegacioneve kombëtare dhe koordinatorëve në çdo komitet. Ato përdoren “gjatë ndarjes së raporteve” në komisione dhe në hartimin e listës së folësve për seancën plenare.
Pas çdo seance plenare, udhëheqja e PPE-së bën një vlerësim të brendshëm për të zbërthyer numrin e ligjvënësve, sipas kombësisë, të cilët nuk kanë ndjekur udhëzimet e partisë.
Lenaers tha se proceset “mbeten një punë e vijueshme në zhvillim e sipër – gjithmonë të hapura për diskutim dhe përsosje kur kërkohet nga anëtarët tanë”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani