Nga Irena Beqiraj
Ekonomia Balonë!
Teksa në cdo ekran diskutohen programet ekonomike, ka debate dhe këndvështrime të ndryshme sesi ka ecur ekonomia shqiptare.
Ish-kolegët e mi socialistë përpiqen të sjellin fakte si: rritja ekonomike (megjithëse modeste), ulja e borxhit, rritja e pagave, apo të ardhurat nga turizmi, si treguesit kryesor të faktit që ekonomia ka ecur mirë. Ndërkohë opozita i kundështon të gjitha këto.
Por rrallë flitet për treguesit kryesorë të të cilët përcaktojnë nese kemi krijuar një ekonomi “ balonë” apo të qëndrueshme në afat të gjatë .
Elementi i parë është hendeku midis rritjes së pagave reale dhe rritjes së produktivitetit. Banka Botërore (grafiku) tregon se në Shqipëri, nga periudha 2015-2023 pagat reale janë rritur ndërsa produktiviteti ka rënë më shumë se në cdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor.
Rritja kaq “e dëshirueshme” e pagave ka ardhur si rezultat i rritjes së pagës minimale dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Ndërsa ulja e produktivitetit lidhet me produktivitetin e ulët të sektorit publik dhe shpërndarjen joefikase të burimeve në sektorët jo produktivë ekonomik.
Pra politikat edhe reformat ekonomike të ndërmarra nga viti 2015 deri në vitin 2023 në vend të reduktonin hendekun midis pagës mesatare reale dhe produktivitetit e kanë zmadhuar atë. Kjo do të thotë që ekonomia është e paqëndrueshme dhe ardhmja e saj shoqërohet me rreziqe të konsiderueshme.
Ky fakt domëthënës tregon se ne jemi larg modelit të ri ekonomik që imponon Shekulli 21 i cili quhet “produktivizëm”.
Ky model ekonomik tenton të krijojë edhe zhvillojë sektorë ekonomikë produktiv në të gjitha rajonet e një ekonomie, duke ofruar punë më të mira për të gjithë fuqinë punëtore, dhe rrjedhimisht mirëqënie. Ai ndryshon nga modeli neoliberal i djathtë sepse kërkon që qeveria të luaj një rol më të gjerë në ekonomi. Ai gjithashtu ndryshon edhe nga modeli Kejnsianist i majtë i “Shtetit të Mirëqenies” pasi relativizon rëndësinë e transfertave buxhetore duke vënë theksin tek një ekonomi që prodhon.
E pra, konkluzioni i parë edhe fatkeqësisht i pakundështueshëm është që në 12 vjet socialistët në vend ta përmirësonin e përkeqësuan parametrin kryesor të qëndrueshmërisë ekonomike, produktivitetin edhe hendekun e tij me pagën mesatare.
Ndërkohë që cdo rritje e mëtejshme e pagës minimale për te joshur 351 mijë votues, rrjedhimisht edhe rritja e pagës mesatare pa adresuar rritjen e produktivitetit do të traspozohej në rritje të cmimeve . Thënë këtë rritja e pagave nuk rrit mirëqënien.
Ajo thjesht sherben si ajri i ngrohtë që fryn balonën ekonomike.
Elementi i dytë është mbivlerësimi i lekut.
Edhe në këtë rast ecuria e produktivitetit është elementi i cili përcakton nëse leku ka pësuar vlerësimin “e dëshiruar” apo është i mbivlerësuar.
Vlerësimi dhe mbivlerësimi janë dy koncepte ekonomike të ndryshme nga njëri tjetri. Për të dhënë këtë gjykim shikohet diferenca midis i) ekuilibirit aktual të kursit të këmbimit që balancon ofertën dhe kërkesën për monedhë të huaj në tregjet financiare vendase edhe ii) ekuilibrin industrial, i cili përcaktohet nga balancimi i produktivitetit të ekonomisë shqiptare me produktivitetin e ekonomisë europiane në mënyrë të ruhet konkurueshmëria e prododhimit vendas në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Monedha vendase është e vlerësuar drejtësisht kur kursi aktual i këmbimit i vendosur në treg tenton të jetë në nivelet e kursit që arrihet në ekuilibrin konkurues industrial, edhe në këte rast vlerësimi i monedhës vendase ecën në të njëjtin drejtim me rritjen e produktivitetin.
Ndërsa kur produktiviteti i ekonomisë vendase ulet ndërkohë që monedha vendase vlerësohet, kursi aktual i këmbimit është më i ulët se vlerat e kursit konkurues industrial, dhe në këto kushte monedha vendase konsiderohet e mbivlerësuar. Kjo ka ndodhur sepse hyrjet e kapitalit të huaj ne euro janë investuar në sektorë kjo produktivë.
Ajri i nxehtë që prodhohet nga mbivlerësimi të lekut bën që: borxhi i huaj sot duket më i ulët, prodhimi brendëshëm bruto duket më i lartë, pagat duken më të larta, dhe që inflacioni te mbahet lehtësisht nën kontroll. Por mos neutralizimi i këtij mbivlerësimi shkakton ulje të mëtejshme të produktivitetit të ekonomisë duke fryrë më tej ekonominë balonë .
Elementi i tretë vjen nga të dhënat e stukturës së ndërmarrjeve. INSTAT tregon se gjatë 2023 numri i ndërmarrjeve me 50 të punësuar është zvogëluar me 32. Në të kundërt janë rritur mikro ndërmarrjet, me rreth 3529 , duke e çuar numrin e tyre në 109.7 mijë.
Nëse ekonomia e vendit popullohet nga mikro ndërmarrjet, ndërsa numri i ndërmarrjeve me më shumë se 50 puntorë është i kufizuar (në Shqipëri 1%) tregon se produktiviteti nuk ka gjasa të rritet pa një politikë të targetuar afatgjatë e të mbështetur financiarisht nga qeveria, që synon trasfromimin teknologjik.
Edhe kjo nuk nëkupton as hapjen edhe mbylljen e negociatave as uljen e taksave, as amnistinë e pagëzuar “si paqa fiskale” aq më pak rritjen mëtejshme të pagës minimale.
Pa adresuar seriozisht rritjen e produktivitetit, nuk mund të rritet mirëqënia për të cilat flasin partitë politike.
Për shumë arsye që nuk lidhen me Shqipërinë ne mund ti bashkohemi Komunitetit Europian por me vazhdimin e qasjes aktuale ekonomike sic e përcakton edhe BERZH “do të na duhen 70 vjet ose më shumë për të arritur homologët tanë të BE-së”.