Gjendet brenda një valixheje trupi i 22-vjeçares shqiptare në Itali, ndalohet i dashuri i saj


22-vjeçarja shqiptare, Ilaria Sula është gjetur e vrarë në një zonë pyllore në Poli, afër Romës.

Ajo  ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit. Trupi i saj ishte futur në një valixhe dhe u gjet në një humnerë. Hetimet kanë zbuluar se Ilaria kishte pasur një lidhje të fundit me një shtetas filipinas, i cili është arrestuar nga autoritetet italiane. Ai dyshohet se e ka goditur atë disa herë me thikë në apartamentin e tij në Via Homs dhe pastaj ka tentuar të fshehë trupin, duke e futur në valixhe dhe duke e lënë në pyll.

Pas ngjarjes, ai ka përdorur telefonin e Ilarisë për të manipuluar mesazhet dhe për të postuar në rrjete sociale, duke fshirë gjurmët e krimit.

Në hetimet e zhvilluara, autoritetet kanë kryer një kontroll në apartamentin e ish-të dashurit të saj në Romë, ku u zbuluan prova të mundshme që lidhin të riun me vrasjen. Ilaria ishte studente në Universitetin “La Sapienza” dhe jetonte në një apartament me katër studente, të cilët ishin shqetësuar për zhdukjen e saj.