“Ka ardhur koha të ndëshkojmë Orbanin” – Qeveria e ardhshme e Gjermanisë presion BE-së


Qeveria e ardhshme e Gjermanisë do i bëjë presion Bashkimit Evropian për të ndëshkuar vendet që sillen keq, një referencë e fshehtë që nënkupton Hungarinë e Viktor Orbanit.

CDU-ja e kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz dhe partneri i mundshëm i koalicionit i qendrës së majtë, Partia Social Demokrate (SPD), kanë rënë dakord të kërkojnë që blloku të ndalojë fondet dhe të pezullojë të drejtat e votës për vendet që shkelin parimet kryesore si sundimi i ligjit, sipas një projektmarrëveshjeje koalicioni të parë nga POLITICO.

Ndërsa Hungaria nuk përmendet me emër, draftmarrëveshja i referohet qartazi “vendit më kryeneç” të BE-së, i cili prej vitesh është akuzuar nga një pjesë vendesh të BE-së për shkeljen e normave demokratike, për kufizim të lirisë së shtypit dhe për kufizimin e pavarësisë së gjyqtarëve.

CDU-ja dhe SPD-ja që udhëhoqi qeverinë e fundit, janë aktualisht duke biseduar për të formuar një koalicion qeverisës dhe duhet të bien dakord mbi parimet themelore përpara se të marrin detyrën. Një marrëveshje për t’i bërë presion BE-së që të godasë vende si Hungaria, është pjesë e një sërë marrëveshjesh të përkohshme që mbulojnë çështje të ndryshme si politika e emigracionit, heqja graduale e qymyrit nga përdorimi dhe shpenzimet e mirëqenies.

“Mjetet ekzistuese mbrojtëse, nga procedurat e shkeljes dhe bllokimi e fondeve të BE-së, deri te pezullimi i të drejtave të anëtarësimit, si të drejtat e votës në Këshillin e BE-së, duhet të zbatohen shumë më konsistente se më parë”, shkruanin negociatorët nga blloku konservator i Merz-it dhe SPD në një projektmarrëveshje koalicioni mbi politikën e BE-së.

Parlamenti Evropian nisi fazën e parë të procedurës së Nenit 7 – e njohur gjithashtu si “mundësia bërthamore” – kundër Hungarisë në vitin 2018 për “shkelje të rënda” të dyshuara të vlerave thelbësore dhe të drejtave themelore të bllokut. Por procesi, i cili mund të çojë në pezullimin e të drejtave të votimit të Hungarisë, ka ngecur për shkak të ndarjeve politike midis vendeve anëtare.

Në vitin 2022, Komisioni Evropian vendosi të bllokojë rreth 22 miliardë euro fonde të BE-së të destinuara për Hungarinë mes shqetësimeve për të drejtat e njeriut dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ai përfundimisht lëshoi më shumë se 10 miliardë euro vitin e kaluar, duke shkaktuar një reagim të ashpër.

Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje midis BE-së dhe qeverisë së Hungarisë ka qenë miqësia e Orbanit me Moskën, teksa Budapesti ka përdorur vazhdimisht të drejtën e vetos për të bllokuar sanksionet ndaj oligarkëve dhe shefave ushtarakë rusë.

Për të anashkaluar këtë të drejtë vetoje, qeveria gjermane e ardhshme dëshiron të “mbrojë një zgjerim të votimit të shumicës së cilësuar në Këshillin e BE-së, veçanërisht për disa çështje të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), siç është vendosja e sanksioneve. Kjo do mundësonte marrjen e vendimeve pa nevojën e miratimit hungarez.

Kreu i CDU-së Friedrich Merz-it dhe SPD-ja janë aktualisht duke negociuar për të formuar një koalicion

Vota gjermane

Më gjerësisht, negociatorët e koalicionit u zotuan të marrin një rol më proaktiv në skenën evropiane duke përdorur Trekëndëshin e Vajmarit – një aleancë e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë – si një mjet për formësimin e politikës së BE-së. Nën koalicionin e kaluar të qeverisë së udhëhequr nga Olaf Scholz i SPD-së, marrëdhëniet e Gjermanisë me Francën dhe Poloninë u përkeqësuan.

“Në Trekëndëshin e Vajmarit, ne do kërkojmë bashkërendim të ngushtë për të gjitha çështjet e rëndësishme të politikës evropiane, në mënyrë që të veprojmë më të bashkuar në shërbim të BE-së në tërësi”, thuhet në draftmarrëveshjen, duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme të bëra nga kancelari i ardhshëm Merz, i cili ka thënë se do udhëtojë si në Paris ashtu edhe në Varshavë në ditën e tij të parë në detyrë.

Konservatorët u zotuan gjithashtu se do adresojnë një ankesë për Gjermaninë që dëgjohet shpesh në kryeqytetet evropiane: abstenimin e Gjermanisë në votime për çështje të rëndësishme të BE-së, e referuar ironikisht si “vota gjermane”.

Kur ministritë e ndryshme gjermane janë në mosmarrëveshje për politikën e BE-së, vendi, si rregull, abstenon nga votat e BE-së. Merz, megjithatë, është zotuar se nuk do ketë abstenime të tilla gjermane kur bëhet fjalë për votat kryesore në Bruksel nën udhëheqjen e tij.

Por konservatorët e tij dhe SPD nuk janë dakord se si ta bëjnë këtë. Konservatorët duan që Merz të jetë në gjendje të ketë një rol më të madh në pozicionin e Gjermanisë kur bëhet fjalë për votat e BE-së me rëndësi të madhe, duke “marrë përgjegjësinë për bashkërendimin që në fillim ose duke marrë përgjegjësinë për të gjatë procedurës”. SPD, nga ana tjetër, dëshiron t’i përmbahet “parimit ndërministror”, duke zgjidhur mosmarrëveshjet midis ministrive.

Draftmarrëveshja për qëndrimet e qeverisë për BE-në vjen nga një prej 16 grupeve të punës ndërpartiake të krijuara për të zhvilluar qëndrime në fushat kryesore të politikave. Të premten pasdite, politikanët kryesorë hynë në negociatat përfundimtare për të lidhur së bashku një marrëveshje koalicioni të unifikuar bazuar në draftet e grupeve të punës. Marrëveshja përfundimtare e koalicionit mund të vijë në mes të prillit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani