Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar për herë të parë pas vendimit të gjykatës për Marine Le Pen, e cila u shpall fajtore për përvetësim fondesh dhe u ndalua nga kandidimi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë.
Duke hapur mbledhjen javore të ministrave francezë, Macron iu referua vendimit të gjykatës, duke rikujtuar tre pika kyçe të theksuara nga zëdhënësja e qeverisë, Sophie Primas.
Sipas The Guardian, Macron përsëriti se:
“Gjyqësori është i pavarur”,
“Kërcënimet ndaj gjyqtarëve janë absolutisht të papranueshme dhe të patolerueshme”,
“Ligji është i njëjtë për të gjithë”.
Macron shtoi gjithashtu se “të gjithë të pandehurit kanë të drejtën e apelimit ligjor”, sipas deklaratës së Primas.
Ky qëndrim vjen mes një situate të tensionuar politike në Francë, ku vendimi për Le Pen ka shkaktuar polemika të shumta midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të saj. Dënimi i saj për përvetësim fondesh ka nxitur reagime të ashpra nga figura të së djathtës ekstreme, të cilët e kanë cilësuar vendimin si një manovër politike për ta penguar atë nga gara për presidencën. Nga ana tjetër, qeveria dhe organet e drejtësisë kanë mbrojtur vendimin, duke theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit.