Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare ish-kryebashkiaku i Koçës Robert Kotmilo, jetonte në kushte të vështira


Ish-kryebashkiaku i Korçës, Robert Kotmilo, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Ai jetonte i vetëm në një banesë të rrënuar dhe në kushte të vështira ekonomike.

Për të ndjerin kujdeseshin organizata të ndryshme humanitare, më së shumti Mitropolia e Korçës. Kotmilo ka qenë kryebashkiak i Korçëës në vitet 1996-2000.

Pas përfundimit të mandatit, Kotmilo vendosi të mos kandidojë më dhe u tërhoq nga politika, duke u marrë me jetën e tij private.

Përpara përfshirjes në politikë, Kotmilo kishte një karrierë të gjatë si kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Frigoriferëve të Korçës, ku punoi për 29 vjet.

Gjithashtu, ai shërbeu si kryetar i Këshillit Bashkiak të Korçës për katër vjet. Në qytetin e Korçës, ai njihej për ndershmërinë dhe përkushtimin e tij, aq sa “Robert Kotmilo as portën e vjetër të shtëpisë së tij nuk e ndërroi sa ishte kryetar bashkie”.

“Unë i përkas tjetër brezi. Që kur isha drejtor i frigoriferit e merja bukën me vete. Në një rast m’u rrëzua buka rrugës. Kur njerzit panë domatet po qeshnin. Në një rast tjetër po interesohesha për tuba për shtëpinë. Një grua që më dëgjoi në dyqan qesëndisi: Po ti ore, as kanalizimet e shtëpisë nuk bën dot? Të tjerët ngrenë vila. I tillë kam qënë dhe mbeta. Do thonë ishte i pazoti po aq më bën. Jam i lumtur me moralin e qytetarit të thjeshtë dhe të qetë”, pohonte Kotmilo në një intervistë të disa viteve më parë.