Nga Bruce Weber / NYT
Val Kilmer, një aktor i lindur në Hollywood që njohu famën si protagonist në rolin e Jim Morrison dhe Batman, por dhuntitë e tij të ndryshueshme dhe personaliteti i tij i paarritshëm e bënë gjithashtu një figurë të rëndësishme në role dytësore, ndërroi jetë të martën në Los Anxhelos. Ai ishte 65 vjeç.
Shkaku ishte pneumonia, tha vajza e tij, Mercedes Kilmer. Z. Kilmer ishte diagnostikuar me kancer në fyt në vitin 2014 dhe më pas ishte shëruar, shtoi ajo.
I gjatë dhe tërheqës në mënyrë prej ylli rock-u, z. Kilmer u shpërfaq që në fillim të karrierës së tij në role si muzikant, kur dukej i destinuar për sukses të madh.
Ai debutoi në një film parodizues të Luftës së Ftohtë, “Top Secret!” (1984), ku luante një këngëtar amerikan popullor në Berlin që pa dashje përfshihet në një komplot për ribashkimin e Gjermanisë.
Ai dha një interpretim të thellë si Jim Morrison, simboli i sensualitetit psikedelik, në “The Doors” të Oliver Stone (1991), dhe më pas u shfaq si Mentori — një Elvis këshillues, siç përfytyrohej nga protagonisti antihero i filmit (Christian Slater) — në “True Romance” (1993), një film i dhunshëm me trafik droge, me skenar të Quentin Tarantino dhe regji të Tony Scott.
Z. Kilmer pati rolin kryesor (përpara Sam Shepard) në “Thunderheart” (1992), ku luante një agjent të papërvojë të FBI-së që heton një vrasje në një rezervat indian në Dakota e Jugut, dhe në “The Saint” (1997), një thriller mbi një hajdut të rafinuar që luan lojë mace-mi me mafian ruse. Por ndoshta më i njohuri ishte roli i tij si Batman në “Batman Forever” (1995), midis versioneve të Michael Keaton dhe George Clooney.
Aty përballej me Two-Face (Tommy Lee Jones) dhe Riddler (Jim Carrey), megjithëse as Kilmer dhe as filmi nuk u vlerësuan si kulme të sagës së Batmanit.
“Publiku serioz ka më pak interes se kurrë për atë që fshihet nën pelerinën ose maskën e Batmanit,” shkroi Janet Maslin në The New York Times.
“Nuk ka shumë për të reflektuar këtu, përveç spektaklit të pajisjeve të çuditshme dhe kic-it të aktorëve të mirë (të cilët kohët e fundit kanë bërë punë më të mirë tjetërkund) të veshur për një Halloween të nxehtë.”
Por në atë kohë kishte nisur një drejtim tjetër, ndoshta më interesant, në karrierën e Kilmer. Në 1986, Tony Scott e zgjodhi për filmin e tij të parë me buxhet të madh, “Top Gun” (1986), dramën e mbushur me testosteron për pilotët e marinës në trajnim, ku Kilmer luante rivalin e ftohtë dhe mendjemadh të protagonistit (Tom Cruise).
Ky rol vendosi një precedent për disa prej shfaqjeve të tij të mëvonshme si aktor dytësor në filma me yje të mëdhenj. Ai e përsëriti këtë rol në një cameo në vazhdimin e vitit 2022, “Top Gun: Maverick.”
Ai luajti armëtarin e rafinuar Doc Holliday në “Tombstone” (1993), një western i përgjakshëm ku luanin gjithashtu Kurt Russell, Sam Elliott dhe Bill Paxton si vëllezërit Earp. Ishte pjesë e një bande grabitësish në “Heat” (1995), një thriller modern në qytet ku Robert De Niro ishte mendja e prapë e grabitjes dhe Al Pacino polici ndjekës.
Ai ishte bashkë-yll, më poshtë se Michael Douglas në postër, në “The Ghost and the Darkness” (1996), një histori me luanë në Afrikën e shek. XIX. Në “Pollock” (2000), me Ed Harris si piktori Jackson Pollock, Kilmer luante Willem de Kooning. Në “Alexander” (2004) të Oliver Stone, ai luante Filipin e Maqedonisë, babanë e Aleksandrit të Madh (Colin Farrell).
Gjatë gjithë karrierës, Kilmer linte një përshtypje të fortë – si te shikuesit, ashtu edhe te kolegët – për paparashikueshmërinë e tij.
“Shumë aktorë e ndjejnë që ka diçka ndryshe tek Val,” tha Oliver Stone në një intervistë në 2007 për serialin “Biography.”
David Mamet, dramaturg dhe regjisor i “Spartan” (2004), shtoi: “Ajo që ka Val si aktor është ajo që kanë aktorët vërtet të mëdhenj: ai i bën gjithmonë fjalët të tingëllojnë si improvizim.”
Në ekran, ai ishte karizmatik dhe nxitës i kuriozitetit — nuk i jepte lehtë emocionet. Jashtë ekranit, pati konflikte, veçanërisht në fillim të karrierës, kur fitoi reputacion për vrazhdësi dhe egocentrizëm.
Një artikull i vitit 1996 në Entertainment Weekly kishte titullin: “Njeriu që Hollywood-i dashuron të urrejë.”
“Ofendonte njerëzit duke qenë i vështirë për t’u kuptuar,” tha Oliver Stone. Robert Downey Jr., që luajti me të në “Kiss Kiss Bang Bang” (2005), pranoi se në fillim nuk e duronte dot, por më vonë u bënë miq të ngushtë.
“Jam i sigurt që nuk është ndonjë lajm për ju që është kronikisht ekscentrik,” tha Downey.
Val Edward Kilmer lindi në Los Anxhelos më 31 dhjetor 1959 dhe u rrit në lagjen Chatsworth, në pjesën veriperëndimore të qytetit, ku fqinjët e tij ishin Roy Rogers dhe Dale Evans dhe shokët e shkollës Kevin Spacey dhe Mare Winningham.
Babai i tij, Eugene, ishte zhvillues pronash; nëna e tij, Gladys Ekstadt, u divorcua nga Eugene kur Val ishte 9 vjeç. Vëllai i tij më i vogël, Wesley, u mbyt në një pishinë në vitin 1977 – një ngjarje që e përndoqi Kilmerin për vite me radhë.
Kujtimet e këtij humbjeje ishin në qendër të rolit të tij në “The Salton Sea” (2002), për një burrë të mbushur me faj që kërkon shpengim pasi nuk arrin të shpëtojë gruan e tij gjatë një vrasjeje. “Ka momente në film kur personazhi thjesht nuk mund të vazhdojë,” tha ai në një intervistë për The New York Times. “Unë vetë nuk u ktheva me këmbë në tokë për dy-tre vjet pas vdekjes së vëllait.”
Ai u pranua në Juilliard School në Nju Jork dhe në moshën 17-vjeçare ishte një nga studentët më të rinj ndonjëherë në programin e aktrimit.
Aty, së bashku me disa shokë, shkroi dhe interpretoi “How It All Began,” bazuar në autobiografinë e guerrilas gjerman Michael Baumann. Në vitin 1981, pas diplomimit, mori pjesë në një produksion profesionist të kësaj vepre në Public Theater.
Në 1983 debutoi në Broadway me “The Slab Boys,” një dramë mbi punëtorë të rinj në një fabrikë tapetesh në Skoci, ku luanin gjithashtu Sean Penn dhe Kevin Bacon. Më vonë luajti Hamlet në Colorado Shakespeare Festival në 1988 dhe rolin kryesor mashkullor në “’Tis Pity She’s a Whore” në 1992, përballë Jeanne Tripplehorn.
Martesa e tij me aktoren Joanne Whalley, të cilën e njohu gjatë xhirimeve të “Willow” (1988), përfundoi në divorc. Ai la pas dy fëmijë, Mercedes dhe Jack.
Kilmer jetoi për shumë vite në një fermë pranë Santa Fe-së dhe në një moment mendoi të kandidonte për guvernator të New Mexico.
Ndër filmat e tij të tjerë të rëndësishëm janë: “The Island of Dr. Moreau” (1996), një film horror bazuar në romanin e H.G. Wells; “Wonderland” (2003), bazuar në një vrasje të vërtetë, ku ai luante aktorin e pornos John Holmes; dhe “Twixt” (2011), me regji të Francis Ford Coppola, për një shkrimtar horror që viziton një qytet të errët ku është kryer një masakër ndaj fëmijëve.
Si aktori Hal Holbrook, Kilmer kishte një pasion të thellë për Mark Twain. Kaloi vite duke hulumtuar dhe shkruar një monodramë të quajtur “Citizen Twain,” të cilën nisi ta interpretonte nëpër SHBA që nga 2010. (Interesi për Twain, tha ai, e ndihmoi të humbte peshë.)
Luajti gjithashtu si Twain në një përshtatje filmike të vitit 2014 të “Tom Sawyer and Huckleberry Finn” dhe planifikonte të drejtonte e luante në një film mbi Twain dhe Mary Baker Eddy, themeluesen e Christian Science, të cilën Twain e kritikonte rregullisht. Kilmer vetë ishte ithtar i kësaj feje.
Në vitin 2021, ai ishte subjekt i dokumentarit “Val,” bazuar në dekada pamjesh arkivore. Fëmijët e tij ishin producentë dhe djali i tij Jack ishte narratori. Filmi fitoi disa çmime, përfshirë Critics Choice Award për dokumentarin më të mirë historik ose biografik.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter në 2012, Kilmer foli për mungesën e tij në kinemanë kryesore për më shumë se një dekadë dhe pranoi se karriera e tij kishte ndjekur një rrugë të pazakontë.
Ai kishte interesa të tjera, tha; donte të kalonte kohë me fëmijët.
“Nuk kam asnjë pendesë,” tha ai. “Është një thënie, por është e vërtetë: Kur je yll, je gjithmonë yll — vetëm ndryshon niveli.”
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e The New York Times