Policia italiane rrit sigurinë në koncesionarët e Tesla-s pas djegies së 17 makinave në Romë


Ministria e Brendshme e Italisë u ka kërkuar forcave të policisë në të gjithë vendin të rrisin masat e sigurisë në koncesionarët e Tesla-s, pasi 17 automjete të kompanisë së Elon Musk u shkatërruan nga një zjarr në Romë.

Njësia kundër terrorizmit e policisë shtetërore, Digos, po heton nëse zjarri në koncesionarin e Torre Angela, një lagje në lindje të kryeqytetit, ishte një akt i qëllimshëm i grupeve anarkiste.

Zjarri shpërtheu në orët e para të së hënës, ndërsa imazhet nga dronët treguan një rresht makinash të djegura plotësisht në hapësirën e parkimit të koncesionarit, sipas The Guardian.

Duke reaguar përmes platformës së tij sociale, X, Musk e cilësoi ngjarjen si një “akt terrorist”.

Në Itali funksionojnë 13 koncesionarë të Tesla-s, të gjithë të administruar nga kompania mëmë, kryesisht në Romë, por edhe në qytete si Firence dhe Milano.

Sipas një burimi nga Ministria e Brendshme, urdhri për rritjen e masave të sigurisë synon të parandalojë protesta të mundshme anti-Tesla, në kuadër të një vale globale vandalizmi të lidhur me angazhimin politik të Musk në SHBA.

Nëse do të jetë e nevojshme, do të vendosen masa të përforcuara survejimi për koncesionarët.

Pas inaugurimit të Donald Trump-it si president në janar, Musk ka ndërmarrë një fushatë të gjerë shkurtimesh në administratën federale si kreu i Departamentit për Efiçencën e Qeverisë, një iniciativë e kritikuar gjerësisht.

Kjo ka nxitur krijimin e lëvizjes “Tesla Takedown”, një bojkot global kundër makinave të tij, që fillimisht nisi në SHBA dhe më pas u përhap në Europë.

Ndërkohë, incidentet e vandalizmit ndaj Tesla-s janë rritur ndjeshëm, ku shtatë makina u dogjën në një koncesionar në Ottersberg, Gjermani, të shtunën, ndërsa dy dyqane të Tesla-s në Suedi, një në Stokholm dhe një tjetër në Malmö, u vandalizuan me bojë portokalli të hënën.

Musk ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me liderët e partive të ekstremit të djathtë në Europë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila në një intervistë në janar e përshkroi atë si “një njeri brilant”.

Pas incidentit në Romë, zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kreu i partisë Liga, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të Melonit, shprehu solidaritetin e tij me Musk.

“Ka shumë urrejtje të pajustifikuar kundër Tesla-s,” shkroi ai në X. “Sezoni i urrejtjes dhe konfliktit duhet të marrë fund sa më shpejt. I shpreh solidaritetin tim Elon Musk dhe të gjithë punëtorëve që janë kërcënuar dhe sulmuar.”