Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Christine Lagarde, ka paralajmëruar se tarifat e planifikuara nga Presidenti Donald Trump do të kenë një ndikim negativ në shkallë globale, megjithëse dëmi i tyre do të varet nga disa faktorë.
Në një intervistë për radion irlandeze Newstalk, Lagarde theksoi se efektet do të varen nga shtrirja e tarifave, produktet e synuara, kohëzgjatja e masave dhe nëse ato do të çojnë në negociata të suksesshme, përcjell The Guardian.
“Do të jenë negative në të gjithë botën, por shkalla dhe qëndrueshmëria e ndikimit do të ndryshojë në varësi të faktorëve si përmasat, produktet e prekura, kohëzgjatja dhe nëse do të ketë negociata,” tha ajo.
Ajo shtoi se shpeshherë tarifat çojnë në bisedime diplomatike, pasi edhe vendet që i vendosin ato shpesh ndiejnë pasojat negative, duke i detyruar të ulen në tryezën e negociatave dhe të rishikojnë masat kufizuese.