Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha, prezantoi sot programin elektoral për Rininë në Tiranë, teksa rreshtoi edhe kandidatët për deputetë të moshave të reja për zgjedhjet e 11 majit, që ka koalicioni i tij, duke përdorur si ‘limit rinie’ moshën 40 vjeç.
Ndërsa bëri premtimet e radhës, shumicën e të cilave nuk e mbajti dot kur ishte për tetë vite në qeveri (2005-2013), ai iu kthye në retrospektivë edhe karrierës së tij politike, zanafillave të saj dhe faktit se si braktisi detyrën e mjekut për këtë karrierë, që aktualisht e ka vënë përballë drejtësisë me akuzën e korrupsionit në aferën ‘Partizani’ nga SPAK dhe me një ‘non-grata’ të dyfishtë nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Ndërsa kreu i FRPD, njëherësh kandidati për deputetë i PD Besart Xhaferri, teksa prezantoi programin për rininë, tha se synohen edhe lehtësira në kreditë për shtëpitë dhe shkolla publike, me programin after-school të integruar.
Demokratët premtojnë “zero” taksa për të rinjtë që hapin një biznes, për një periudhë 3-vjeçare.
Programi i PD për rininë parashikon:
-0 taksa për arsimin
-200 euro minimum jetik për çdo të ri
-Shkolla në Astir, Fresk dhe Liqenin e Thatë
-Derisa të ndërtohen shkollat 250 euro për fëmijët që detyrohen të shkojnë në shkolla të tjera
-3 vjet, 0 taksa për bizneset e të rinjve (tatim fitim dhe tatimi mbi të ardhurat)
-Paguan shteti kontributet shoqërore tek bizneset që punojnë të rinjtë, për këta të rinj të punësuar
-1 çati për çdo çift: financon 20% që i duhet të ketë çifti. 30 mijë euro kredi pa interes
-Falim kredinë për çiftet që bëhen me 3 fëmijë
-Skollat publike i bëjmë 8 orë, bëjnë detyrat aty plus 1 vakt