Vritet me armë zjarri efektivi i Policisë së Kosovës në Kaçanik


Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë mbrëmjen e së martës, si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se viktima u gjet i plagosur rëndë pranë hyrjes së ndërtesës së tij.

“Kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.

Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik.

Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka deklaruar Veseli.

Mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë për efektivin Muhamet Lika, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.